Rubio: Irani s’mund të vendosë tarifa për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit

24 qershor 2026 | 08:41

Marco Rubio, sekretari i Shtetit i SHBA-së, deklaroi se Irani nuk do të mund të aplikojë taksa në Ngushticën e Hormuzit në kuadër të ndonjë marrëveshjeje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se një masë e tillë do të binte ndesh me ligjin ndërkombëtar.

“Kjo është një korsi ndërkombëtare detare. Asnjë vend nuk lejohet të vendosë taksa ose tarifa në një korsi ndërkombëtare detare”, u shpreh Rubio para gazetarëve, ndërsa shtoi se besonte që “të gjitha vendet në këtë rajon do të pajtoheshin me ne”.

Diplomati amerikan mbërriti të martën në Abu Dhabi, në ndalesën e parë të një turi në vendet e Gjirit, i cili synon të qetësojë aleatët e SHBA-së, të prekur nga raketat dhe dronët iranianë gjatë luftës me Iranin, një konflikt që ata e kanë kundërshtuar.

Pas mbërritjes në Abu Dhabi, Rubio konfirmoi se protokolli i marrëveshjes me Iranin do të jetë pjesë e diskutimeve në bisedime.

“Kjo me siguri do të diskutohet gjatë këtyre bisedimeve”, tha ai për gazetarët, kur u pyet nëse do të përpiqej të qetësonte aleatët e Gjirit, të cilët janë goditur rëndë nga hakmarrja iraniane pas sulmeve SHBA-Izrael.

“Disa pika që nuk janë në memorandumin e mirëkuptimit padyshim do të diskutohen, por vetë memorandumi me siguri do të duhet të shqyrtohet”, deklaroi ai.

Rubio shtoi gjithashtu se “një lexim i kujdesshëm i memorandumit të mirëkuptimit tregon qartë se kur flasim, për shembull, për një ndërprerje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive në të gjithë rajonin, kjo nuk është e mundur për sa kohë që përfaqësuesit e Iranit lëshojnë raketa dhe dronë nga Iraku dhe përfshihen në akte terroriste, siç kanë bërë Hamasi dhe Hezbollahu.”

Sekretari amerikan pritet të zhvillojë nesër, të mërkurën, takime me autoritetet e Emirateve, përpara se të niset drejt Kuvajtit dhe më pas në Bahrein, ku të enjten do të mbahet takimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kolumbisë ka regjistruar fitoren e dytë në Kupën…