AKB-ja: Kosova nuk duhet të humbasë mundësinë historike të partneritetit energjetik me SHBA-të
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se Republika e Kosovës duhet të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj ekonomike, energjetike dhe zhvillimore në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“SHBA-të ishin çlirimtaret e Kosovës, mbështetëset vendimtare të shtetndërtimit dhe aleatet kryesore të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Për këtë arsye, çdo projekt strategjik që vjen nga partneri ynë më i madh strategjik duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe me vizion afatgjatë. AKB-ja konsideron se investimet në infrastrukturën energjetike, të cilat mundësojnë qasje në gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-të, përfaqësojnë një mundësi historike për forcimin e sigurisë energjetike, rritjen ekonomike dhe modernizimin e sektorit energjetik të Kosovës”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se përfitimet e këtij projekti do të ishin të shumta. “Ulja e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, rritja e sigurisë dhe stabilitetit energjetik për qytetarët dhe bizneset, mbështetja e tranzicionit energjetik dhe integrimit të burimeve të ripërtëritshme, përgatitja e industrisë kosovare për standardet evropiane lidhur me emetimet e karbonit, tërheqja e investimeve të reja amerikane dhe krijimi i vendeve të reja të punës si dhe forcimi i partneritetit ekonomik dhe strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ai.
Shahini ka theksuar se AKB-ja beson fuqishëm se Kosova nuk duhet të pozicionohet kundër projekteve strategjike amerikane, por të bashkëpunojë ngushtë me aleatin e saj më të madh për të siguruar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe mirëqenie për qytetarët.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që vendimet për projektet energjetike strategjike të mos udhëhiqen nga kalkulime politike afatshkurtra, por nga interesat afatgjata shtetërore, ekonomike dhe kombëtare. Miqësia me Amerikën nuk është vetëm pjesë e historisë sonë të lavdishme. Ajo mbetet garancia më e fuqishme për të ardhmen, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës. Prandaj, projektet që forcojnë partneritetin ekonomik, energjetik dhe strategjik me SHBA-të duhet të konsiderohen interes kombëtar i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shahini.



