Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve do ta votojnë qeverinë Kurti
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, Krasniqi ka deklaruar se grupi multietnik është i interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.
“Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm dhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojë dhe t’i formojë institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe se qytetarët presin që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.
Sipas Krasniqit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një Kuvend funksional dhe zgjedhjen e presidentit.
“Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, ka deklaruar ai.
Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, do t’i ketë 53 deputetë. Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota.



