Kosova importoi 638.6 milionë euro mallra në maj, eksportet mbulojnë vetëm 14.7% të importeve

24 qershor 2026 | 13:32

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2026.

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milionë euro në vitin 2025.

Eksporti mbulon importin me 14,7 %.

Eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro, që është një rritje prej 15,7 % për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,5 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,1 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,0 % e përbëjnë produktet minerale; etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2 % e përbëjnë produktet minerale, 12,6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7 % e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 30,8 milionë euro, ose rreth 32,7 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,9%), Italia (4,9), Holanda (2,7%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 301,3 milionë euro, ose 47,2 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,1%), Italia (8,8%), Polonia (4,1%), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 43,1 milionë euro, ose 45,7 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,6 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,4%), Shqipëria (14,8%), Mali i Zi (6,6%), Serbia (6,4%), etj. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85,3 milionë euro, ose 13,4 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (4,1%), Serbia (3,2%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 20,3 milionë euro, ose 21,6 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,6%) dhe Turqia (4,5%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 252,0 milionë euro, ose 39,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (12,2%) dhe Turqia (13,9%).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për 25 minuta gjatë barazimit 1-1 mes Marokut dhe Brazilit…