Shëtitje nëpër Drenicë
Berat Armagedoni
Nuk erdha t’i shoh kodrat, livadhet, arat,
shtëpitë e ndërtuara pas luftës,
erdha t’i prek e t’i ndiej plagët e luftës,
gjurmët e krimit,
dhimbjen që nuk plaket e s’ka mbarim,
dhimbjen që quhet Drenicë
Duke ecur mes të gjallëve,
që ende jetojnë me trauma,
erdha ta shoh fytyrën e vdekjes,
t’i lexoj epitafet në varret e fëmijëve,
grave, pleqve e plakave
Në Likoshan e në Çirez,
në Prekaz e në Abri të Epërme,
në Izbicë e në Rezallë,
në Poklek të Vjetër e në Vërbovc,
në Çikatovë,
kudo që Drenica
fsheh dhimbjen nën dhé,
me laps dhe diktafon
nisa t’i mbledh e t’i numëroj,
dhimbjet pa masë të të mbijetuarve,
të nënës për të birin,
të babës për të bijën,
të gjyshit për nipin e mbesën,
të vëllait për motrën,
të motrës për vëllanë
Pashë varre me fotografi
Pashë varre vetëm me trëndafila
Pashë çanta, fletore e rroba pa fëmijë
Djepa, ora, lodra që nuk argëtonin askënd
Mure të shpuara e të njollosura me gjak
Edhe njolla të gjakut të mbuluara me baltë pas luftës
Gëzhoja të revoleve, automatikëve e të tankeve
Që kishin mbjellë vdekje dhe shpërndarë dhimbje
Edhe bidonë benzine që dikur shpërthenin zjarr
Tash relikte të krimit të ekspozuar në shtëpitë muze
Pashë pjata, dyer e dritare të thyera
Të shqyera e të shpuara me plumba e të gjakosura
Hi dhe dhé përzier me eshtra njerëzish
I dëgjova të gjallët për përjetimet e të vdekurve
Të grave e të burrave, të gjyshërve e të gjysheve
Dhe kur Drenicës i rashë fund e krye ditën
Në mbrëmje u ktheva në Prishtinë me bllokun plot shënime
Por asnjë faqe e bardhë që ndërkohë u bë e zezë
Nuk mbante peshën e dhimbjes së saj
Nga libri në dorëshkrim “Shëtitje nëpër Drenicë”



