Rama për “France24”: Ka shumë ndërhyrje nga jashtë kundër projektit në Zvërnec
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ka shumë ndërhyrje nga jashtë në protestën kundër projektit në Zvërnec.
Ai këto komente i bëri për televizionin francez “France24”, teksa shtoi se është interesant fakti se protesta ka në Tiranë e jo në vendin ku është parashikuar të bëhet projekti, në Vlorë.
“Saktësisht për çfarë po ndodh, ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike që prej tri vitesh ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri… Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku është parashikuar të bëhet projekti, njerëzit e duan atë”, deklaroi Rama.
Megjithatë, ai theksoi se ky projekt është një nga premtimet e tij.
“Siç e thashë, janë dhe të gjitha shqetësimet e tjera të një pjese të popullsisë që duan gjëra të ndryshme, por ne u zgjodhëm për të bërë atë që premtuam dhe midis premtimeve është ky projekt.”
Kujtojmë se ky projekt ka nxitur debat të madh në Shqipëri, ndërsa vendi sot shënon ditën e 25-të të protestave.



