Elmi Reçica i reagon Ilir Feratit: Pretendimet për fotografi në ditën e zgjedhjeve janë të pavërteta

25 qershor 2026 | 10:20

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Elmi Reçica, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Ilir Ferati në emisionin “Politiko” në Kanal 10, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse.

Sipas Reçicës, pretendimi i Feratit se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar fotografi me të në ditën e zgjedhjeve nuk qëndron dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.

Në reagimin e tij, Reçica ka theksuar se ai dhe Partia Demokratike e Kosovës janë të interesuar që LDK-ja të mbetet një parti stabile dhe e qëndrueshme, duke shtuar se zhvillimet e brendshme të kësaj partie janë çështje e saj e brendshme. Ai ka kërkuar që emri i tij të mos përdoret për, siç është shprehur, manipulime apo sulme politike.

Reçica ka sqaruar se takimi i tij me Ramën ka ndodhur më 28 maj, gjatë ceremonisë përkujtimore të organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit për nder të ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

Sipas tij, fotografia që është përmendur në deklaratat e Feratit i përket pikërisht kësaj ngjarjeje dhe jo ditës së zgjedhjeve.

“I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike”, ka deklaruar Reçica.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se, për transparencë, ka bashkëngjitur videon origjinale të publikuar nga portali “Prishtina Sot”, për të cilën thotë se dëshmon qartë kohën dhe rrethanat e realizimit të fotografisë së përmendur.

Postimi i plotë i Reçicës:

Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.

Fillimisht dua të theksoj se unë dhe Partia Demokratike e Kosovës jemi të interesuar që LDK-ja të jetë një parti stabile dhe e qëndrueshme, sepse i duhet vendit dhe demokracisë sonë. Zhvillimet e brendshme në LDK janë çështje ekskluzive e tyre dhe nuk lejoj në asnjë mënyrë që emri im të përdoret për shpifje, manipulime apo sulme politike ndaj kujtdo brenda asaj partie.

E vërteta është shumë e thjeshtë. Me Perparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore e organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

Në atë ngjarje, të organizuar me përkushtim të veçantë, Perparim Rama mbajti një fjalim enciklopedik kushtuar veprës dhe sakrificës së heronjve tanë. Fotografia e publikuar i përket pikërisht atij organizimi dhe jo ditës së zgjedhjeve, siç është pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga Ilir Ferati.

I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike.

Për transparencë të plotë, po bashkëngjis edhe videon origjinale të asaj dite, të publikuar nga portali Prishtina Sot, e cila dëshmon qartë të vërtetën dhe i hedh poshtë pretendimet e bëra nga Ilir Ferati.

Linku: https://www.facebook.com/share/r/1D1PRGMBjU/?mibextid=wwXIfr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ka shumë…