Punë ëndrrash: Dy tifozë paguhen nga 50 mijë dollarë për të parë çdo ndeshje të Botërorit 2026
Teksa Botërori 2026 po hyn në fazat më intensive, me deri në gjashtë ndeshje në ditë gjatë fazës së grupeve, ndjekja e çdo takimi është kthyer praktikisht në një punë me kohë të plotë.
Për Kevin Akoto dhe Austin Franklin, kjo është pikërisht puna e tyre, për të cilën paguhen me nga 50 mijë dollarë secili.
Dy tifozët e futbollit janë përzgjedhur nga mijëra aplikantë për rolin e veçantë të “Chief World Cup Watchers” të Fox One, detyrë që i obligon të ndjekin të gjitha 104 ndeshjet e turneut dhe të krijojnë përmbajtje për tifozët gjatë gjithë Botërorit.
BBC ka vizituar dy të rinjtë në vendin e tyre të punës, një kabinë xhami të ndërtuar enkas në zemër të Times Square në New York, ku kalimtarët mund t’i shohin teksa ndjekin ndeshjet.
Hapësira është e pajisur me kolltuqe komode, televizorë me ekran të madh, tavolinë futbolli dhe suvenire të shumta futbollistike, duke krijuar ambientin ideal për çdo tifoz.
“Është si ëndrra e çdo 20-vjeçari. Nëse do të mund të vendosje gjithçka që dëshiron si tifoz futbolli, do të dukej pikërisht kështu”, është shprehur Kevin.
Megjithatë, pavarësisht se tingëllon si puna perfekte, ritmi intensiv ka filluar të ndihet.
“Jam lodhur disi, edhe Austin po ashtu. Po mësohemi të përballojmë gjithçka që ndodh çdo ditë”, ka pranuar Kevin.
Austin e ka krahasuar përvojën me një kamp veror, ku ditët fillojnë të ngatërrohen me njëra-tjetrën.
“Është një maratonë e vërtetë. Në dukje është një punë e lehtë, ulesh në divan dhe sheh futboll, por pas një kohe bëhet lodhëse. Mundohem të fle të paktën tetë orë sa herë që kam mundësi”, ka thënë ai.
Fatmirësisht, puna nuk përfshin qëndrimin gjatë natës në kabinën e xhamit, pasi në fund të çdo dite ata kthehen në shtëpi për t’u rikuperuar para sfidave të radhës.
Dy tifozët kanë qenë dëshmitarë të disa prej momenteve më historike të këtij Botërori.
Ata kanë parë nga afër momentin kur Lionel Messi theu rekordin e golave në historinë e Kupës së Botës, ndërsa po shijonin një vakt tradicional argjentinas.
Një tjetër privilegj i punës së tyre është se gjatë turneut u serviren ushqime tradicionale nga vendet pjesëmarrëse.
Përveç ndeshjeve, ata kanë pasur mundësinë të takojnë mijëra tifozë nga e gjithë bota që kanë pushtuar Times Square.
Austin ka thënë se kjo është pjesa më e bukur e eksperiencës.
“Pjesa më e çuditshme është se shpesh harroj që ndodhem në Times Square dhe njerëzit po më shohin. Futem aq shumë në lojë sa, pas 10 apo 15 minutash, kujtohem dhe shoh turmat përreth”, ka treguar ai.
Sa u përket parashikimeve për fituesin e trofeut, Kevin beson se kombëtarja e Spanjës do të shpallet kampione e botës, edhe pse mbështet SHBA-në dhe Ganën për shkak të lidhjeve të tij personale.
Ndërkohë, Austin mban fanellën e Norvegjisë dhe beson se skandinavët mund të surprizojnë, të frymëzuar nga forma e sulmuesit Erling Haaland.
“Shumë njerëz zgjedhin Spanjën ose Francën si favorite, por mendoj se Norvegjia është shumë afër nivelit më të lartë. Nëse gjërat shkojnë në favorin e tyre, mund ta fitojnë trofeun”, është shprehur ai.
Megjithatë, jo të gjithë do ta dëshironin një punë të tillë.
Disa tifozë mendojnë se shikimi i të 104 ndeshjeve pa privatësi mund të jetë i tepërt, ndërsa të tjerë besojnë se Botërori shijohet më mirë me familjen dhe miqtë.
Por për shumë të apasionuar pas futbollit, ideja për t’u paguar për të parë ndeshje tingëllon si një ëndërr e bërë realitet.
“Të paguhesh për të parë Botërorin? Kjo është çmenduri, në kuptimin më të mirë të fjalës”, ka thënë një tifoz i intervistuar nga BBC.



