Agim Ademi pret ambasadorin austriak, flasin për ndeshjet Kosovë–Austri dhe bashkëpunimin në sport
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ademi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën e sportit, me theks të veçantë te përballjet e ardhshme mes dy kombëtareve.
Sipas tij, pjesë e bisedimeve ishin ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Austrisë do t’i zhvillojnë në kuadër të UEFA Nations League gjatë muajve shtator dhe tetor.
Gjithashtu, u diskutua edhe për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027.
Ademi njoftoi se palët janë dakorduar të organizojnë aktivitete të përbashkëta promovuese për këto ndeshje, me qëllim afrimin e tifozëve me ekipet kombëtare dhe krijimin e një atmosfere sa më të veçantë sportive.
Presidenti i FFK-së theksoi se takimi rikonfirmoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të reja që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.



