Ambasadori suedez: Situata energjetike në Kosovë pengon zhvillimin ekonomik

26 qershor 2026 | 11:26

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se vendimi për çështjen e gazit amerikan i takon Qeverisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e garantimit të një furnizimi të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë.

I pyetur për këtë çështje, Westerlund është shprehur se nuk dëshiron të japë vlerësime se cila zgjidhje është më e mira, duke ia lënë këtë vendimmarrje institucioneve të Kosovës dhe negociatave me partnerët ndërkombëtarë.

“Nuk kam ndonjë qëndrim të fortë për këtë çështje. I takon Qeverisë së Kosovës ta marrë atë vendim. Sigurisht që është e rëndësishme për çdo qeveri të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji. Mund të zgjidhen rrugë të ndryshme për ta arritur këtë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët dhe ekonomia të kenë një furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta realizuar këtë dhe unë nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë do t’ia lë qeverisë dhe negociatave të saj me aktorët ndërkombëtarë. Është për të ardhur keq që kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë. Ajo pengon promovimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, prandaj përbën një sfidë”, ka deklaruar Westerlund për “Ekonomia Online”.

Ambasadori suedez ka folur edhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, duke vlerësuar progresin e arritur përmes Dhomës Nordike të Tregtisë dhe rolin e diasporës kosovare në forcimin e lidhjeve tregtare mes dy vendeve.

“Zhvilluam mbledhjen vjetore të Asamblesë së Dhomës Nordike të Tregtisë. Tani kemi deri në 25 anëtarë. Kjo është një nismë që e kam filluar para tre vitesh dhe jam shumë i kënaqur që po ecim përpara. Kemi marrëdhënie të forta tregtare mes Kosovës dhe Suedisë. Mendoj se kjo dëshmon se kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dypalëshe. Nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë, por edhe për marrëdhëniet politike. Ne kemi një diasporë prej rreth 70 mijë shqiptarësh nga Kosova në Suedi dhe ata luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e tregtisë mes dy vendeve. Prandaj jam shumë i kënaqur që, pas katër vitesh këtu, kemi ndërtuar marrëdhënie dypalëshe shumë të mira”, ka theksuar Westerlund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot rreth orës 09:20 është vetaksidentuar një kamion që po…