Shkon në 55 numri i viktimave në Francë nga temperaturat e larta, dhjetëra departamente në alarm

26 qershor 2026 | 11:51

Të paktën 55 persona kanë humbur jetën në Francë, teksa përpiqeshin të freskoheshin nga temperaturat rekord, ka deklaruar ministrja e Sportit, Marina Ferrari, për transmetuesin “Franceinfo”.

Qeveria franceze ka frikë se numri i viktimave mund të rritet në ditët në vijim, pasi 61 departamente janë nën alarm të kuq për shkak të valës së të nxehtit, ndërsa 25 të tjera ndodhen nën alarm portokalli, sipas mediave vendase.

Autoritetet presin që 11 departamente të kalojnë nga alarmi i kuq në atë portokalli të premten në mbrëmje, ndërsa 13 të tjera do të hiqen nga lista e alarmit të kuq të shtunën në mëngjes.

Sipas Meteo-France, temperaturat pritet të lëvizin nga 36 deri në 41 gradë Celsius në pjesë të ndryshme të vendit gjatë së premtes.

Ministrja e Shëndetësisë, Stephanie Rist, ka paralajmëruar se spitalet mund të përballen me një fundjavë të vështirë, pasi numri i vizitave në repartet e urgjencës dhe thirrjeve për shërbimet emergjente është rritur ndjeshëm si pasojë e valës së të nxehtit, raporton “BFMTV”.

Edhe prefekti i Policisë së Parisit, Patrice Faure, ka bërë me dije se spitalet në kryeqytet dhe në rajonin përreth janë tashmë të mbingarkuara.

Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu, ka njoftuar aktivizimin e planit të emergjencës shëndetësore ORSAN të nivelit të tretë, i cili, sipas tij, përfaqëson “nivelin më të lartë të mobilizimit të sistemit shëndetësor”.

Si pjesë e masave për menaxhimin e situatës, autoritetet e Parisit kanë njoftuar ndalimin e konsumimit të alkoolit në hapësirat publike nga mesdita e së premtes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ceremoninë e organizuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi…