Pacolli për laurën në Prevallë: Asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë, duke iu drejtuar banorëve përmes një postimi në “Facebook”.
Pacolli ka theksuar se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit.
“Të nderuar banorë të Prevallës dhe fshatrave përreth, kam përcjellë shqetësimet e ngritura lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë. Dua t’ju siguroj se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit. Çështja e vendosjes së laurës dhe mënyra e menaxhimit të qarkullimit do të diskutohet bashkë me ju, me qëllim që të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, ka shkruar ajo.
Për këtë arsye, Pacolli u ka bërë thirrje banorëve që të mos protestojnë.
“Sot nuk kam mundësi të jem me ju, pasi ndodhem në Arabinë Saudite, ku po e përfaqësoj Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit. Ju pres në takim gjatë javës së ardhshme, ku do t’i dëgjoj të gjitha shqetësimet dhe propozimet tuaja”, ka shkruar Pacolli.



