Vazhdojnë temperaturat ekstreme, rekorde të reja në shumë vende evropiane

28 qershor 2026 | 14:27

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën ka thyer rekorde historike të temperaturave në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, ndërsa numri i viktimave po rritet në Francë dhe Spanjë.

Për shkak të rrezikut të lartë për shëndetin publik, autoritetet kanë anuluar koncerte, festivale, gara sportive dhe aktivitete të tjera masive në disa vende të kontinentit.

Në Gjermani u regjistrua temperatura më e lartë e matur ndonjëherë, 41.3 gradë Celsius, në qytetin jugperëndimor Saarbrücken, pranë kufirit me Francën. Rekorde të reja për muajin qershor u shënuan gjithashtu në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar temperatura arriti në 37.1 gradë Celsius, transmeton albinfo.ch.

Sipas vlerësimeve të agjencisë AFP, rreth 150 milionë njerëz në Evropë u përballën me temperatura mbi 35 gradë Celsius gjatë së premtes. Meteorologët paralajmërojnë se fundjava mund të sjellë rekorde të reja në Çeki, Austri dhe vendet e Ballkanit.

Shkencëtarët e organizatës World Weather Attribution bëjnë të ditur se vala aktuale e të nxehtit është ndër më të ashprat e regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë të vitit, me temperatura 5 deri në 12 gradë Celsius mbi mesataren sezonale. Sipas tyre, ndryshimet klimatike po e bëjnë Evropën kontinentin që po ngrohet më shpejt në botë.

Pasojat e temperaturave ekstreme kanë vënë nën presion sistemet shëndetësore. Në Francë, autoritetet paralajmërojnë për rritje të numrit të viktimave, ndërsa spitalet në rajonin e Parisit kanë aktivizuar planet e emergjencës për shkak të mbingarkesës.

Në Spanjë, sistemi kombëtar i monitorimit MoMo ka regjistruar 327 vdekje të lidhura me temperaturat e larta vetëm në periudhën nga e diela deri të enjten. Në Francë, numri i viktimave nga mbytjet gjatë valës së të nxehtit ka arritur në 55, shumica në zona të pambikëqyrura.

Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar edhe tragjedi të tjera. Në Marsejë, një foshnjë 18-muajshe humbi jetën pasi u gjet në një automjet të mbinxehur, ndërsa raste të ngjashme me fëmijë të lënë në automjete janë raportuar edhe në Paris dhe Carpentras.

Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë anuluar ose shtyrë një sërë aktivitetesh publike. Në Paris u shtynë Parada e Krenarisë dhe festivali muzikor Solidays, ndërsa në Holandë u anulua festivali Defqon.1 pas shpalljes së alarmit të kuq për nxehtësinë ekstreme. Në Gjermani u anulua edhe Gjysmëmaratona e Hamburgut.

Vala e të nxehtit ka ndikuar edhe në transport dhe energji. Një tren Eurostar, me rreth 400 pasagjerë, mbeti i bllokuar pranë Brukselit, ndërsa në Zvicër termocentrali bërthamor Beznau ndaloi funksionimin e dy reaktorëve, pasi temperatura e lumit Aare u bë shumë e lartë për ftohjen e tyre.

Në Spanjë, megjithëse temperaturat kanë nisur të bien, një zjarr i madh pyjor pranë Barcelonës detyroi rreth 16 mijë banorë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Autoritetet kanë arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Ndërkohë, studiuesit zviceranë paralajmërojnë se vala e të nxehtit po përshpejton shkrirjen e akullnajave. Sipas tyre, rezervat e borës së grumbulluara gjatë dimrit pritet të shterojnë disa javë më herët se zakonisht, duke e bërë këtë verë një nga më shqetësueset për ekosistemet alpine.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Julian Alvarez vazhdon të jetë i vendosur për t’u transferuar…