Dy vjet në pushtet, BDI-ja akuzon VLEN-in për mashtrim dhe dështim

28 qershor 2026 | 15:01

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbushur dy vjet në pushtet, ndërsa nuk kanë munguar kritikat ndaj partnerit shqiptar në ekzekutiv, VLEN.

Opozita shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka akuzuar VLEN-in për mashtrim dhe dështim gjatë 24 muajve të qeverisjes në koalicion me VMRO-DPMNE.

Nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, ka deklaruar se dy vjet pas marrjes së pushtetit, nuk janë realizuar premtimet kryesore të dhëna para qytetarëve.

“Sot, pas 24 muajsh në pushtet, qytetarët shtrojnë vetëm tri pyetje: Ku janë premtimet? Ku janë rezultatet? Ku është ndryshimi? Përgjigjja është e qartë: askund. Bilanci i tyre nuk është listë suksesesh, por listë premtimesh të pambajtura”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, premtimet për ndryshime kushtetuese, barazi gjuhësore, përfaqësim të drejtë dhe projekte ekonomike nuk janë realizuar.

“Premtuan Kushtetutë të re, por nuk hapën as debat. Premtuan ndryshime kushtetuese brenda disa muajve, por pas më shumë se 24 muajsh nuk ka asgjë. Premtuan barazi për gjuhën shqipe, por dobësuan mekanizmat mbrojtës të saj”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, VLEN-i ka vlerësuar si të suksesshme punën dyvjeçare në qeveri dhe ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e ekzekutivit.

Sipas sekretarit të përgjithshëm, Bekim Sali, VLEN do të udhëheqë me dy ministri të reja, atë të Drejtësisë dhe Kulturës, ndërsa do të lëshojë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Politikës Sociale.

“Ministrat aktualë kanë performuar mirë në Qeveri dhe jemi të kënaqur si VLEN dhe do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletico Madridi është gati të bëjë një lëvizje të madhe…