Roberto Martinez i del sërish në mbrojtje Cristiano Ronaldos pas kritikave të shumta

29 qershor 2026 | 11:17

Roberto Martinez i ka cilësuar si “fëminore” krahasimet mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit pas barazimit 0-0 të Portugalisë ndaj Kolumbisë në Kupën e Botës, rezultat që i kushtoi ta humbë vendin e parë në grupin K.

Një fitore do ta kishte ngjitur Portugalinë mbi amerikanolatinët në renditje, duke i mundësuar një rrugë më të lehtë në fazën me eliminim direkt. Tani skuadra e Ronaldos do të përballet me Kroacinë në 1/16 e finales, ndërsa në rast kualifikimi mund të ndeshet me Spanjën në fazën tjetër.

Ndërkohë, Kolumbia do të përballet me Ganën dhe më pas me fituesin e çiftit Zvicër-Algjeri.

Ronaldo pati vështirësi në ndeshjen hapëse ndaj Republikës Demokratike të Kongos dhe regjistroi një mesatare prej vetëm 0.13 kundër Kolumbisë. Ai realizoi dy gola ndaj Uzbekistanit, por ajo mbetet ndeshja e vetme në të cilën pesë herë fituesi i Topit të Artë ka gjetur rrugën e rrjetës në shtatë paraqitjet e fundit në Kupën e Botës.

Në anën tjetër, Messi ka qenë në formë të jashtëzakonshme në këtë Botëror. Argjentinasi realizoi të pesë golat e kombëtares së tij në fitoret ndaj Algjerisë dhe Austrisë, duke siguruar kualifikimin e hershëm të ekipit në fazën tjetër. Edhe pse e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Jordanisë, 39-vjeçari arriti të shënonte golin e tij të 19-të në histori të Kupës së Botës.

“Nuk bëjmë krahasime me lojtarët e skuadrave të tjera. Kjo do të ishte fëminore”.

Trajneri spanjoll mbrojti gjithashtu vendimin e tij për të vazhduar t’i besojë Ronaldos si titullar, pavarësisht kritikave se prania e tij mund të jetë duke e penguar skuadrën.

“Cristiano është mësuar të jetë në vendin e duhur në momentin e duhur. Është më shumë çështje e të qenit i fortë mendërisht, i disiplinuar në pozicionim dhe i aftë për të krijuar hapësira në skemat tona sulmuese”.

“Nuk është problem për Cristianon të luajë 90 minuta, por ndoshta në ndeshjen e ardhshme do të kemi nevojë për ndryshime, ashtu si me çdo lojtar tjetër. Ne monitorojmë të gjitha informacionet që marrim nga ndeshjet dhe stërvitjet dhe gjithmonë ekziston mundësia për të bërë ndryshime”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), bazuar në studimin e realizuar…