Maliqi: A ka Kurti ndonjë shpjegim pse nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik për gjashtë vjet?

29 qershor 2026 | 11:37

Politologu Agon Maliqi ka shtruar një pyetje të rëndësishme për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Duke komentuar qasjen refuzuese të qeverisë ndaj projektit amerikan të gazit, ai ka kërkuar një shpjegim thelbësor për këtë çështje.

Në profilin e tij në “Facebook”, Maliqi ka shkruar se pushteti dhe zëdhënësit e tij duhet t’u tregojnë qytetarëve pse, gjatë këtyre gjashtë viteve të qeverisjes, nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik.

“Ta lëmë anash gazin amerikan për një moment dhe ta marrim të mirëqenë – për hir të debatit – argumentin e qeverisë se nuk na nevojitet. Qeveria po insiston se Kosova mund t’i plotësojë nevojat e saj energjetike përmes një strategjie të bazuar në: 1) thëngjill; 2) energji të ripërtëritshme; 3) kogjenerim për ngrohje; dhe 4) investime në efiçencën e përdorimit të energjisë. A kanë ndonjë shpjegim Albin Kurti dhe zëdhënësit e tij mediatikë se pse, gjatë këtyre gjashtë viteve që ai ka qenë kryeministër, nuk është ndërtuar dhe as nuk ka nisur ndërtimi i ndonjë kapaciteti të ri domethënës nga burimet e ripërtëritshme? Përjashtim bëjnë dy parqet e energjisë me erë, të cilat Kurti vetëm i inauguroi, pasi ishin miratuar gjatë qeverisë Haradinaj. Një park solar në Rahovec, me kapacitet rreth 100 MW, i cili iu dha një biznesi të diasporës (Orllati) në vitin 2024, edhe pas dy vitesh nuk e ka nisur zbatimin”, ka shkruar ai, duke dhënë edhe detaje të tjera.

“Si shpjegohet kjo ngadalësi dhe kjo neglizhencë ndaj sigurisë energjetike, që na e ka rritur varësinë nga importi? Deri tani, në mungesë të ndonjë shpjegimi tjetër, i vetmi shpjegim bindës janë raportimet e shumta për përfitime milionëshe të tregtarëve dhe importuesve të energjisë elektrike, paratë e të cilëve, me shumë gjasë, po përdoren për ta ruajtur gjendjen ekzistuese”, ka shkruar Maliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armando Brahimi shpall të pavlefshme ID-Kartelën me nr. E-Z-E22\81 të…