Scaloni pranë rinovimit me Argjentinën
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, pritet të vazhdojë në krye të kombëtares deri në vitin 2031, pasi raportohet se ka arritur marrëveshje verbale me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për rinovimin e kontratës.
Sipas gazetarit Diego Monroig nga ESPN Mundial, përfaqësuesit e Scalonit dhe drejtuesit e AFA-s kanë zhvilluar disa takime para nisjes së ekipit drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës 2026.
“Qëndrimi i AFA-s është që Scaloni të mbetet trajner për sa më gjatë. Argjentina ka mbërritur në Kupën e Botës me një marrëveshje verbale që ai të vazhdojë në detyrë deri në vitin 2031”, ka deklaruar Monroig.
Megjithatë, Scaloni ka kërkuar që diskutimet zyrtare për kontratën të shtyhen deri pas përfundimit të Botërorit, në mënyrë që skuadra të jetë plotësisht e fokusuar në mbrojtjen e titullit.
Që nga marrja e drejtimit të Argjentinës në vitin 2018, Scaloni ka pasur një periudhë të jashtëzakonshme, duke fituar Kupën e Amerikës në vitet 2021 dhe 2024, Finalissima 2022, si dhe Kupën e Botës 2022 në Katar.
Në 99 ndeshje në krye të “Albiceleste”, ai ka regjistruar 72 fitore, 18 barazime dhe vetëm 9 humbje.
Nëse marrëveshja finalizohet, Scaloni do të jetë trajner i Argjentinës edhe në Kupën e Botës 2030, turne që do të shënojë 100-vjetorin e kompeticionit.
Për momentin, kampionët e botës janë të fokusuar te përballja ndaj Cape Verdes në Miami, ndërsa synojnë të vazhdojnë rrugëtimin për mbrojtjen e trofeut.



