Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi: Marrëveshja e Ohrit ka nisur të zbatohet
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar dhe nuk ka pikëpyetje për vlefshmërinë e saj.
Gjatë një diskutimi në Forumin e Dubrovnikut, Sorensen ka thënë se marrëveshja nuk përbën një traktat formal, por është një dakordim i arritur mes palëve, i mbështetur edhe nga ndërmjetësimi ndërkombëtar.
“Është një zotim ndërkombëtar dhe nuk bëhet fjalë për një tekst traktati”, ka thënë Sorensen, duke shtuar se për këtë çështje është konsultuar edhe me ekspertë juridikë në Bruksel dhe Nju-Jork.
Sipas tij, marrëveshja e Ohrit përmban kërkesa dhe përcaktime të qarta që duhet të përmbushen, ndërsa Bashkimi Evropian pret që ajo të respektohet nga palët.
Sorensen ka theksuar e zbatimi i marrëveshjes tashmë ka filluar në disa fusha, veçanërisht në çështjen e personave të zhdukur, por ka edhe pika të tjera që ende nuk janë realizuar.
Ai i është referuar edhe praktikës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke thënë se një marrëveshje ndërkombëtare nuk kërkon domosdoshmërisht nënshkrim formal për të qenë e vlefshme.
“Ne ishim aty kur marrëveshja u arrit dhe e mirëpritëm atë. Më pas, Këshilli i BE-së i është referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje në përfundimet e tij”, ka thënë Sorensen.



