Policia arreston të dyshuarin për vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit

30 qershor 2026 | 11:06

Policia e Kosovës ka njoftuar se, pas veprimeve intensive operativo-hetimore, ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e ndodhur në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku humbi jetën imami i fshatit, Gazmend Zahirovci, 46 vjeç.

Sipas policisë, operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit është zhvilluar me angazhimin e njësive të ndryshme policore, përfshirë përdorimin e dronëve për vëzhgim nga ajri dhe njësisë K-9 me qen gjurmues. Pas disa orësh kërkimesh, i dyshuari është lokalizuar dhe vënë në pranga.

I arrestuari është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 23:00, kur një përleshje mes disa personave ka eskaluar me pasoja fatale. Viktima fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në fazën fillestare dhe pritet të vazhdojnë nga organet kompetente të drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paraguai ka regjistruar një nga befasitë më të mëdha të…