Rashiqi: Institucionet të formohen në pako, jo fazë pas faze – do t’i kërkoj Kurtit bashkëpunim për presidentin

30 qershor 2026 | 14:40

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është partneri i parë me të cilin synon të diskutojë për formimin e institucioneve të reja, por ka kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm në zgjedhjen e qeverisë.

Rashiqi ka thënë se duhet të ketë një marrëveshje të plotë që përfshin edhe zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e të gjitha institucioneve.

Ai ka theksuar se rezultatet zgjedhore duhet të respektohen dhe se pas katër palë zgjedhjeve është koha që partitë politike të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizave institucionale.

“Lëvizja Vetëvendosje është adresa e parë, jo vetëm për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur gjatë viteve të fundit, por edhe për shkak të numrit të deputetëve që ka siguruar në Kuvend. Kjo duhet të respektohet”, ka thënë Rashiqi në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Ai ka kërkuar që bashkëpunimi me Vetëvendosjen të jetë aktiv dhe që propozimet e partive të komuniteteve të merren parasysh gjatë procesit të formimit të institucioneve.

“Do të kërkoj që të përdoren të gjitha mundësitë për të arritur bashkëpunim, veçanërisht me partitë shqiptare sa i përket zgjedhjes së presidentit, sepse kjo është një pikë kyçe në këtë proces”, ka deklaruar ai.

Rashiqi ka insistuar se institucionet nuk duhet të krijohen pjesë-pjesë, por përmes një plani të përbashkët.

“Mos të jetë vetëm fazë pas faze, apo të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan se çfarë ndodh me pjesën tjetër. Është e rëndësishme të kemi një pako të plotë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të humbë një tjetër vit për shkak të krizave politike dhe palët duhet të shmangin përplasjet.

Ai ka vlerësuar se dështimi për të formuar institucionet do të ishte i pajustifikueshëm dhe do të dëmtonte besimin në sistemin politik.

I pyetur nëse do të jetë sërish pjesë e qeverisë, Rashiqi ka thënë se Kushtetuta parasheh përfaqësimin e komunitetit serb në ekzekutiv, ndërsa vendimi për përzgjedhjen e ministrit i takon partive shqiptare.

“Është e pashmangshme që një ministër nga komuniteti serb të jetë pjesë e qeverisë, ndërsa përzgjedhja mbetet përgjegjësi e partive që formojnë shumicën”, ka deklaruar Rashiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adriatik Haliti shpall të pavlefshme dëftesat e shkollës së mesme…