‘Më keni braktisur’, zbulohen fjalët e Marcelo Bielsas pas eliminimit të Uruguait nga Botërori
Paraqitja e Uruguait në Kupën e Botës 2026 rezultoi zhgënjyese, pasi përfaqësuesja amerikanojugore u eliminua që në fazën e grupeve, pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në ndeshjen vendimtare.
Golin e vetëm të takimit e shënoi Alex Baena, duke i siguruar Spanjës fitoren dhe duke vulosur eliminimin e skuadrës së drejtuar nga Marcelo Bielsa.
Largimi i hershëm nga turneu ka shkaktuar reagime të shumta në Uruguai, ndërsa presioni mbi Bielsan është shtuar ndjeshëm. Trajneri argjentinas prej kohësh është përfolur për një marrëdhënie jo të lehtë me disa prej futbollistëve të skuadrës, ndërsa e ardhmja e tij në stol mbetet e paqartë.
Sipas raportimit të “ESPN”, Bielsa u foli lojtarëve në dhomat e zhveshjes menjëherë pas eliminimit, ndërsa mesazhi i tij, i drejtuar kryesisht futbollistëve më me përvojë, ishte mjaft i ashpër.
“Po largohem nga kjo Kupë Bote i trishtuar sepse më keni braktisur”, raportohet të ketë thënë trajneri argjentinas.
Vetë Bielsa shtoi edhe më shumë spekulimet për largimin e tij gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes.
“Si do të kujtohet periudha ime këtu? Si një periudhë që nuk solli asgjë”, deklaroi ai.
Kontrata e Bielsas ishte paraparë të përfundonte pas Kupës së Botës dhe mbetet të shihet nëse Federata Uruguaiane e Futbollit do të tentojë ta vazhdojë bashkëpunimin me të apo nëse palët do të ndajnë rrugët pas këtij zhgënjimi.



