Leotrim Krasniqi: Nuk largohem, historia ime me Vëllaznimin nuk ka mbaruar
Pas shumë spekulimeve për të ardhmen e tij, presioneve dhe kritikave pas përfundimit të sezonit, trajneri i Vëllaznimit, Leotrim Krasniqi, ka vendosur të flasë për herë të parë.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Olle, Krasniqi ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi gjakovar, duke theksuar se e ndien ende të papërfunduar misionin e tij te Vëllaznimi dhe se dëshiron ta çojë deri në fund punën e nisur.
Tekniku ka marrë përgjegjësinë për humbjen në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, por njëkohësisht ka dërguar një mesazh të fortë për tifozët dhe opinionin sportiv: ai do të vazhdojë të jetë trajner i Vëllaznimit edhe në sezonin e ri, me synimin për ta ngritur sërish klubin aty ku e meriton.
𝗚𝗮𝘇𝗲𝘁𝗮 𝗢𝗹𝗹𝗲: Ditët e fundit është folur shumë për të ardhmen tuaj te Vëllaznimi. Ka pasur zëra për largim, presione dhe shumë kritika. Pse doni të vazhdoni?
𝙇𝙚𝙤𝙩𝙧𝙞𝙢 𝙆𝙧𝙖𝙨𝙣𝙞𝙦𝙞: Sepse historia ime me Vëllaznimin nuk ka mbaruar.
Kur erdha për herë të parë në 2024, erdha me bindjen se mund ta ndihmoja këtë klub. Më pas rrugët tona u ndanë, por nuk mbajta as inat dhe as mllef. Kur Vëllaznimi më kërkoi të rikthehesha, u riktheva. Jo për një kontratë, por sepse besoja se kjo ishte një histori që duhej përfunduar ndryshe.
Sot është e lehtë të largohesh.
Unë nuk kam zgjedhur rrugën e lehtë.
Kam punuar gjithmonë pa hile në çdo klub. Hallall, me djersë në ballë dhe me përkushtim maksimal. Po ta kisha ndjerë se nuk kam më çfarë t’i jap këtij klubi, do të isha larguar vetë.
Ne humbëm ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe përgjegjësinë e marr unë. Nuk fshihem pas askujt. Nuk kërkoj keqardhje.
Por pikërisht kjo humbje më ka bindur edhe më shumë se nuk dua të largohem.
Dua të punoj, të korrigjoj gabimet dhe ta çoj deri në fund punën që kemi nisur. Nuk dua që historia ime te Vëllaznimi të kujtohet për një ndeshje të humbur. Dua të kujtohet për mënyrën se si u ngritëm pas saj.
Dua ta bëj të qartë: do të jem trajner i Vëllaznimit edhe në sezonin e ri. Puna për ndërtimin e ekipit po vazhdon dhe do të punojmë me shumë përkushtim dhe besim së bashku në këtë rrugë.
𝗚𝗮𝘇𝗲𝘁𝗮 𝗢𝗹𝗹𝗲: Një pjesë e tifozëve kanë qenë shumë kritikë ndaj jush. Çfarë u thoni atyre?
𝙇𝙚𝙤𝙩𝙧𝙞𝙢 𝙆𝙧𝙖𝙨𝙣𝙞𝙦𝙞:
I kuptoj plotësisht. Vëllaznimi është një klub me histori dhe tifozët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë. Kur objektivi nuk arrihet, është normale të ketë zhgënjim dhe kritika.
Unë nuk u kërkoj të më duartrokasin dhe as të ndryshojnë mendim për shkak të një interviste. U kërkoj vetëm të më gjykojnë me drejtësi: për punën, për karakterin dhe për mënyrën se si përballem me vështirësitë.
Është e lehtë të qëndrosh pranë një klubi kur gjithçka shkon mirë. Më e vështirë është të mos largohesh kur gjërat nuk shkojnë siç dëshiron. Unë kam zgjedhur të qëndroj dhe të luftoj.
Nuk premtoj mrekulli. Premtoj vetëm ndershmëri, punë të përditshme dhe përgjegjësi të plotë. Besimin nuk e kërkoj me fjalë. Dua ta fitoj në fushë.
Shpresoj që një ditë tifozët të mos më kujtojnë për humbjen e një ndeshjeje, por për mënyrën se si, së bashku, e ngritëm përsëri Vëllaznimin.



