Kurti, Haxhiu dhe Gërvalla nderojnë delegatët e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut
Sot, në 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, u.d. presidentja Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën disa nga delegatët e asaj kohe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i nderuar dhe për të kujtuar një nga aktet më të rëndësishme në historinë tonë shtetformuese.
“Më 2 korrik 1990, kur dyert e Kuvendit u mbyllën me forcë, delegatët e Kosovës nuk heshtën. Ata folën në emër të popullit edhe jashtë sallës, duke dëshmuar se legjitimiteti buron nga vullneti i qytetarëve. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte akti me të cilin Kosova refuzoi nënshtrimin dhe artikuloi qartë të drejtën e saj për vetëvendosje”, ka shkruar Haxhiu në ‘Facebook’.
Ajo ka theksuar se ky akt u bë gurthemel në rrugën drejt Republikës së Kosovës.
“Pas tij erdhën Kushtetuta e Kaçanikut, referendumi për pavarësi, organizimi institucional i viteve ’90, lufta çlirimtare e UÇK-së dhe, më në fund, shpallja e pavarësisë. Ishte një rrugë e gjatë, e ndërtuar me vizion, qëndresë dhe sakrificë”.
“Sot i nderojmë me mirënjohje delegatët e 2 korrikut dhe të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin e themeleve të Republikës sonë. Akti i tyre na rikujton se liria, shtetësia dhe sovraniteti mbrohen çdo ditë, me institucione të forta dhe me përkushtim ndaj vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.



