FJALA E ALI AHMETIT NË DIBËR
Vëllezër e motra,
Të dashur anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim,
Dega e posazgjedhur e Bashkimit Demokratik për Integrim, suksese, faqebardhë bashkë me kryetarin Butrint Sela!
Njëherit, s’mund të qëndroj pa e shprehur mirënjohjen time për angazhimin e veteranëve si forcë lëvizëse për një çerek shekulli.
Dhe bukur e shpjegoi Ylli, Komiteti i Veteranëve është organ këshilldhënës, po edhe mbikëqyrës i tërë veprimtarisë së degës së Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe në nivel qendror është Këshilli Kombëtar.
Do të thotë, kjo tregon që Bashkimi Demokratik për Integrim është një forcë goxha e organizuar, mirë e etabluar për përballje të forta, që pak më duken Butrint këta që i kemi përpara, me një forcë dhe fuqi që ka Bashkimi Demokratik për Integrim.
Po, faleminderit për prezencën të bashkëpunëtorëve, deputetëve, kryetarëve të degës si të Strugës, për praninë dhe solidaritetin që bëni me kryetarin e degës së Dibrës.
Nuk mund pa përshëndetur këtu, për 25 vjet që nuk m’i ka ndarë miqtë e mi Mexhit Capa, Avokati Naim Cami, Argëtim, Hekuran mbi supet tona ndërtojmë Bashkimin Demokratik të ri.
Se na kanë lodhur, 24 vjet pushtet, 24 vjet pa u reformuar, edhe pse ne gjithmonë kemi qenë të reformuar.
Në këtë mandat, vetëm unë dhe Talat Xhaferi kemi qenë deputetë nga mandatet e kaluara.
Të gjithë kanë qenë deputetë të rinj. Mirëpo, e krijuan një legjendë të tillë: Bashkimi Demokratik për Integrim pa u reformuar. 83% a është ndryshuar udhëheqja e Bashkimit Demokratik për Integrim? 83%!
Gjithashtu, dua të falënderoj dhe familjen Lata, që në një moment tepër të rëndësishëm për ne shqiptarët më ka ndihmuar Ruzhdi Lata, si njeri dhe si përgatitje me orientim fetar, në emërimin e Branko Manajlovskit deputet zone, sepse në këtë vend, në Maqedoni, ka shumë shqiptarë të krishterë të cilët pushtetet i kanë asimiluar, i kanë konvertuar me dhunë, me oferta, me beneficione, dhe ka qenë koha dhe është koha që ato t’u kthehen rrënjëve të veta të lashta.
Dhe Ruzhdi Lata ka qenë njëri nga kontribuesit në këtë drejtim.
Të nderuar të pranishëm,
Partitë politike maqedonase po bëjnë gabime në aspektin strategjik.
Janë ulur, kanë analizuar, kanë biseduar dhe kanë rënë dakord në një pikë: që shqiptarët po ua marrin shtetin.
Si VMRO, ashtu edhe LSDM, qasje tepër e gabuar.
VMRO-ja doli në fushatë: “BDI-ja rrezik për shtetin, e kriminalizuar, e korruptuar”, dhe asnjëherë nuk iu përgjigjën kërkesës sonë që e kemi bërë me këmbëngulje: “Ore, ne nuk jemi një parti politike që u takojmë gjithë gjeldetave.
Hajdeni të ulemi, të dakordohemi dhe të bëjmë ligj për të hapur hetime për çdo funksionar në këtë shtet.
Filloni nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për prejardhjen e pasurisë”.
Nuk kanë fare gatishmëri ta bëjnë këtë.
“Hajde ta hapim hetimin për privatizimin, si ka ndodhur në këtë shtet” – fare gatishmëri nuk kanë.
Dhe u kam sjellë shembuj.
Pa ditur se ç’funksion ka pasur Boris Stojmenovi, vetë ka ardhur në zyrën time dhe është rrëfyer si ministër i Financave dhe kryetar i Bordit të Privatizimit, dhe më ka thënë: “Ali Ahmeti, unë kam qenë ministër i Financave, kam qenë edhe kryetar i Bordit të Privatizimit.
Pika e parë e rendit të ditës në Ministrinë e Financave ka qenë si t’i përjashtojmë shqiptarët nga privatizimi.
Pika e parë e rendit të ditës në Bordit e Privatizimit ka qenë si t’i përjashtojmë shqiptarët nga privatizimi.
Unë programin e realizova, po luftën ama e ndihmova.
Po të kisha qenë unë burrë i mirë, të kisha qenë i mençur, do t’i kisha bërë shqiptarët pjesë të barabartë të ndarjes së pasurisë së përgjithshme të shtetit.
Dhe unë kam ardhur, unë jam i vjetër, që ti këtë ta dish”.
Dhe unë kam thirrur, se e përmendi dikush, Arbëri apo Fatoni, oligarkët.
Unë kam thirrur krerët e oligarkëve për t’ia përcjellë se ata e kanë shumë gabim takimet e fshehta që i mbajnë, porositë që mua mi dha Boris Stojmenovi.
E kam ulur Koço Angjushevin, sepse ai është komandanti i oligarkëve, bashkë me Branko Azeskin.
Dhe i kam treguar, ja kam rrëfyer këtë histori të Boris Stojmenovit.
Tha: “Si, tha, kështu të ka thënë Boris Stojmenovi?”
Hajde mos ndodhë siç ndodhi me Lupço Georgievskin edhe kryetarin e Kuvendit, si e kishte emrin, Stojan Andov.
Unë dola në janar të 2002-shit dhe denoncova dokumentin që më solli Arben Xhaferi për ndarjen e Maqedonisë në emër të shtetit.
Ljupço Gjeorgjevski edhe Stojan Andov thanë: “Gënjen Ali Ahmeti”.
U desh të pritej 23 vjet që të dalë me dokumentin e vet Ljupço Gjeorgjevski dhe ta paraqesë përpara opinionit.
Mirëpo, një e mirë është te Ljupço Gjeorgjevski, se çka mendon, edhe e flet.
Mirëpo, e keqja më e madhe në këtë shtet është që kush janë politikanët që ndryshe mendojnë dhe ndryshe flasin, kjo më frikëson mua.
Dhe duke e pasur parasysh këtë moment, unë kam bërë takime nga Struga deri në Likovë, përfshirë edhe Dibrën, takime me popullin.
Edhe në Dibër është çuar dikush në emër të komunitetit të pranishëm: “Ali Ahmeti, dil në mediume dhe pyeti maqedonasit a duan të jetojnë bashkë me ne”.
Mirëpo, kjo pyetje nuk u bë vetëm në Dibër, nga Struga, Prespa, Manastiri, Dollneni e deri në Likovë.
Dhe tek unë u rrit goxha shqetësimi.
Dhe kam ulur krerët maqedonas: “O ju njerëz, a e dini që ju keni përgjegjësi?
Mua në çdo takim, dhe takimet e mia janë nga 1500 deri në 500, 400, 300 në të gjithë territorin e Republikës ku ka shtrirje Bashkimi Demokratik për Integrim, kërkojnë që unë të dal t’i pyes juve si maqedonas: a doni të jetoni me ne bashkë, apo s’doni të jetoni?”
“Po si kështu?”.
“Ore, unë e kam shqetësim dhe kam ardhur ta ndaj shqetësimin me ju.
Se si e rregulloni, është çështja juaj.
Mirëpo, përderisa ju keni filluar të gërryeni Marrëveshjen e Ohrit, sigurisht që shqiptarët kanë të drejtë që këtë shqetësim ta ngrisin.
Sepse ju po e gërvishtni, po e gërryeni ditë për ditë Marrëveshjen e Ohrit.
Mos i bëni gabimet e Jugosllavisë!
Mos u drejtoni dhe mos u orientoni drejt vazalëve.
Unë e di që ju vazalë keni qenë të Beogradit.
Po hajrin as vazalët sllovenë, as kroatë, as boshnjakë, as malazezë, as ju nuk ia keni parë vazalitetit që keni pasur ndaj Beogradit.
Urdhëroni shtetin ta ndërtojmë bashkë!
Por unë argat e vazal i juaji nuk bëhem, dhe unë nuk ndryshoj, dhe më mirë e keni të bashkëdrejtoni e bashkëqeverisni me ata të cilët nuk janë vazalë e përkëdhelës”.
Këto janë gabime goxha të mëdha që i bën edhe VMRO-ja, që i bëni edhe LSDM-ja.
Doli Zoran Zaevi: “BDI në opozitë”, nëse ju kujtohet.
Atëherë ja nisën me parulla “BDI opozitë”.
Ore, unë pas shpinës partnerit nuk i punoj.
Kur bëj marrëveshje, edhe i qëndroj, dhe nuk lejoj që partneri të krijojë dyshime se a i përmbahem unë marrëveshjeve apo s’i përmbahem.
Normal, jam i zorshëm derisa të bëhet marrëveshja, po pasi të bëhet marrëveshja, unë qëndroj.
Unë di të marr edhe vendime të guximshme, edhe të vështira, edhe i kam marrë.
Këta tanët tani, këta pulat…
Jo, me të vërtetë me dhimbshuri flas se shqiptarë janë.
24 vjet kanë ngrënë bukën e BDI-së, edhe si u bëra unë i keq mbas 24 vjetësh?
Si isha i mirë e në piedestal më ngrinit 24 vjet, dhe sot unë qenkam tradhtar?
Nuk është në rregull kjo punë.
Si mund, po të njëjtët, kanë dënuar Menduh Thaçin kur bëri koalicion në 2006-ën, padrejtësisht si humbës i zgjedhjeve nuk respektoi legjitimitetin.
Merrni, kthejeni të kaluarën, si ndodhi që e bëjnë të njëjtin gabim këta?
A harruan çfarë kanë thënë para 15-16 vjetësh?
Si nuk flasin për legjitimitet fare?
Fare nuk flasin, dhe duhet zgjidhur ky problem, është problem që duhet ta shqetësojë tërë kombin shqiptar në Maqedoni, po edhe më gjerë.
Si mund të bëhemi ne lodra në duart e të tjerëve?
Del nesër, fiton një shqiptar harbut dhe ai do jetë përfaqësues në institucionet e shtetit.
Ky shtet ka ardhmëri vetëm me shqiptarë që kanë legjitimitet.
Këtu është ardhmëria.
Çdo tendencë, unë e di se i konvenon VMRO-së, i konvenon LSDM-së, të ketë punë me “shqiptarë të ndershëm”, sepse kështu ka qenë motoja e këtyre: “Duhet të rekrutojmë shqiptarët e ndershëm, se këta të BDI-së janë terroristë, janë të zorshëm, këta duan ta bëjnë Shqipëri”.
Ku ta bëjnë Shqipëri?
Korridori i Tetë nuk bëhet në Shqipëri, bëhet në Maqedoni.
Rruga e Arbërit nuk bëhet në Shqipëri, bëhet në Maqedoni.
Infrastrukturat që janë bërë, janë bërë këtu.
Mirëpo, nuk do të thotë që ne e kemi bërë Shqipëri pse është vendosur Skënderbeu në Shkup, që është vendosur Josif Bageri, Nexhat Agolli, kemi ngritur shtatore, varrezat e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Po mor, janë ngritur, po nderohen me nderime ushtarët e UÇK-së, të vrarët, dëshmorët, po mor, nderohen!
Po harrojnë këta që nuk ka histori Maqedonia pa Marrëveshjen e Ohrit.
Historia e Maqedonisë së re është Marrëveshja e Ohrit.
Kushtetuta që ne e kemi në përdorim është Marrëveshja e Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit ka ndryshuar statusin politik dhe juridik të këtij shteti, dhe domosdoshmërisht është pjesë e historisë.
Si do mësojnë nxënësit në shkolla?
Do të thotë, hezitojnë ta fusin Marrëveshjen e Ohrit pjesë të historisë së shtetit.
Çfarë do bëjmë ne me atë të Krushevës, tri ditë që ka zgjatur, çfarë do bëjmë?
Dmth: Marrëveshja e Ohrit është me karakter ndërkombëtar.
Sepse unë nuk pajtohem edhe me ca tanët: “Hajde shohim një marrëveshje të re ta bëjmë”. Mos i ik marrëveshjes ndërkombëtare!
Bashkëpërgjegjës jemi: Amerikë, Evropë, NATO.
Unë kam hedhur firmë se i kam besuar Amerikës, i kam besuar NATO-s, i kam besuar Evropës, po, dhe s’ka kompromis me Marrëveshjen e Ohrit.
Të bëjmë një marrëveshje të re që ta bëjmë pak më të fortë?
Më të fortë sesa të bësh marrëveshje me ndërmjetësim amerikan, evropian dhe të NATO-s, unë nuk e di që mund të bëhet.
Me mbështetje të NATO-s, Amerikës dhe të Evropës ne e kemi edhe shtetin e Kosovës. Tjetër është që e përqeshin: “Amerika, Amerika”, siç thotë dikush politikan i Kosovës.
Po pa Amerikën nuk ishte çliruar Kosova!
Po pa gjakun e ushtarëve të UÇK-së nuk ish fitua liria e Kosovës!
Lirinë e fituam me gjak, çlirimin me aleatë, dhe duhet t’u jemi mirënjohës një jetë të tjerëve: Amerikës, NATO-s, Evropës, dhe jo të themi “Amerika, Amerika, e bardha, e zeza”.
Tani na thanë, edhe unë rashë në dyshim tani: Ore thashë unë, si paskam njohur këta të mitë që dolën në anën e kundërt?
“Do e bëjmë ndryshimin”.
Hej Zot, thashë… Njeri i lumtur unë, do e bëjnë ndryshimin tani.
Se e kisha nënkryetar, sekretar. Këtë Bilall Kasamin sekretar shteti e kemi pasur, kryetar dege e kam pasur.
Çfarë ndryshimi bëjnë?
Se të kishin bërë… lëre që e shkelën legjitimitetin.
Është gabim i jashtëzakonshëm, dhe ky gabim duhet të përmirësohet tek duhet marrëveshje, dhe marrëveshje me sanksione.
Nuk mund unë nesër të humb zgjedhjet dhe të shkoj t’i kreh bistekun Hristijan Mickoskit edhe këtij të LSDM-së, Venko Filipçes.
Jo, mo vëlla! Kam humbur zgjedhjet, puno, fito zgjedhjet, kthehu, rikthehu, ngrihu, bjer, apo jo?
Çfarë bënë?
Asnjë premtim nuk e realizuan, përkundrazi, i dëmtuan shqiptarët si në përfaqësim të drejtë, si te gjuha.
Nuk është shaka.
Politika maqedonase ka vendosur ta shlyejë gjuhën shqipe.
Kjo nuk do të ndodhë!
Të rënët nga varri do të ngrihen nëse gjuha shqipe preket!
Për çfarë u derdh ai gjak?
Për gjuhë dhe flamur!
Cila është porosia e rilindasve?
Për gjuhë e flamur, kjo është porosia e rilindasve.
Të gjitha janë bërë: universitetet, shkollat e mesme, por cilësia duhet të rritet prej nesh nëpër universitete, prej kuadrove që kanë përgjegjësi – rektorë, dekanë, prodekanë.
Të gjithë ata e kanë përgjegjësinë ta rrisin cilësinë, dhe jo universitetet tona të mos jenë as në renditje bile të universiteteve të botës.
Tani, unë profesor nuk mund të bëhem, as rektor s’mund të bëhem.
Unë bëj ligje, unë bëj politikë, jap orientim, por nuk jam profesor universiteti.
Tani, e kanë bërë problem këtë punën e rrugëve.
Më thirr Bashkimi për rrugët.
Thashë: bëje propozimin.
E kam bërë.
Thashë: çoja qeverisë tani.
Po s’e bëre, ke punë me mua.
Ka qenë kështu, Bashkim, po!
Pse u ndryshuan, u ndryshuan rrugët këtu?
Pse nuk kontestohen rrugët që krekosen në Shkup, me firma të funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim janë.
Do të më tregojnë mua se i kanë vënë emrin e LPK-së.
Ku kanë ditur ata çfarë është LPK-ja, Lëvizja Popullore e Kosovës?
Në Tetovë është votuar me Badenter.
Nuk kemi qenë ne pjesë e ekzekutivit në 2006-2007-ën, s’kemi qenë, dhe nuk e ka kaluar qeveria, po s’kemi qenë.
Le t’i shohim në Shkup si janë bërë, le t’i shohim në Dibër si janë bërë, le ta shohin si u ngrit Skënderbeu.
Skënderbeu është marrëveshje e dakorduar mes BDI-së dhe LSDM-së, e votuar në qytetin e Shkupit me Badenter.
Kjo është.
Kush ishte Musa Xhaferi?
Kush ishte kryetari i Shkupit?
Se unë i kam harruar.
Risto Penovi, Nexhat Agolli, Josif Bageri, Pjetër Bogdani, marrëveshje VMRO-BDI, është e bërë.
Nuk ka punë që mund të krekoset këtu individi “unë e bëra”.
Ore, e ka bërë fronti i Bashkimit Demokratik për Integrim, kuadrot e Bashkimit Demokratik për Integrim, misionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim i kanë bërë.
Edhe a do bëjnë?
Po, do bëjnë!
Vëllezër e motra,
Unë nuk i takoj kampit të frikacakëve dhe skeptikëve.
Asgjë s’mund të realizojnë nga projektet antishqiptare në këtë vend.
Vdiqën kohërat kur shqiptarët shkileshin e u merrej shpirti me helmetë, e me mure rrëzoheshin, e u dilte shpirti nën muret e shtëpive.
Kanë vdekur ato kohëra më!
Bashkimi Demokratik për Integrim është forcë e organizuar mirë, e etabluar, e mençur, me program, me mision e vizion.
Ne duam që ky shtet të ketë demokraci.
Në këtë shtet të funksionojnë Marrëveshja e Ohrit dhe e Prespës, marrëveshja për fqinjësi të mirë, zero probleme me fqinjët.
Ne e duam Maqedoninë anëtare të Evropës, siç jemi të NATO-s, pa kufij me Shqipërinë, pa kufij me Kosovën, me Bullgarinë e me Greqinë.
Ne duam Ballkan, Athinë, Stokholm bashkë.
Ç’janë këto muhabete: “Shqiptarët po duan kështu, shqiptarët duan ta copëtojnë, duan të na marrin Maqedoninë”?
Ku ta çojmë ne, ta marrim ne, në thes nuk futet Maqedonia?
Ne Maqedoninë e duam demokratike, të barabartë për të gjithë ata që jetojnë këtu.
Nuk është Maqedonia vetëm e maqedonasve, dhe këtë duhet ta marrin vesh njëherë e përgjithmonë!
Këtë çka ua them juve, unë ua kam thënë atyre.
Çka flas unë me popullin, para ua them atyre, se nuk i thirr në dasmë ata, do më hidhërohen tani.
Kështuqë të jemi bashkë.
Më vjen keq për tanët që janë shitur për një kolltuk, mirëpo edhe kjo punë do të zgjidhet.
Shqiptarët duhet të kenë një marrëveshje: të respektohet legjitimiteti.
Zgjedhjet nuk do jenë larg, Butrint Sela, dhe ne na takon të dalim faqebardhë.
Ju uroj punë të mbarë, shëndet e suksese juve, familjeve tuaja, kryesisë, Komitetit të Veteranëve.
Ju uroj punë e suksese juve që e mbyllët me sukses grupet e punës të Kuvendit.
Butrint Sela, këto nuk janë kuvende të degëve, si kongrese janë duke u bërë.
Faleminderit shumë!



