Kurti: “Rilindja” ishte shtyllë e emancipimit shoqëror dhe vetëdijes kombëtare

02 korrik 2026 | 21:31

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar rolin historik të gazetës “Rilindja”, duke e cilësuar atë si një ndër institucionet më të rëndësishme në emancipimin shoqëror, kultivimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e vetëdijes kombëtare.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se, me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka pritur në një takim ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të “Rilindjes”, për të kujtuar kontributin e kësaj gazete dhe shtëpie botuese.

Sipas tij, numrat e gazetës “Rilindja”, të botuar përgjatë katër dekadave e gjysmë, përbëjnë një arkivë të çmuar të historiografisë së Kosovës.

“Gazeta e përditshme Rilindja, me numrat e saj përgjatë katër dekadave e gjysmë, është arkivë e çmuar e historiografisë sonë. Bashkë me Universitetin e Prishtinës dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, ajo pati rol qendror në emancipimin shoqëror dhe kultivimin e shqipes së shkruar”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se “Rilindja” nuk kishte vetëm mision informues, por ishte edhe një referencë profesionale dhe kombëtare që, sipas tij, i ka mbijetuar kohës.

“Përtej informimit, botimet e saj ishin vetëdije profesionale e kombëtare dhe referencë që i mbijeton kohës”, u shpreh ai.

Në takimin e organizuar me këtë rast morën pjesë Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Evliana Berani, Dush Gashi, Mehmet Gjata dhe Emine Berisha, ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të “Rilindjes”, me të cilët, sipas Kurtit, u diskutua për rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati duke folur rreth…