Ambasadori Kiçmari pret profesoreshën Yuko Ikuta, promovuese të veprës së Nënë Terezës në Japoni
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka pritur në ambientet e Ambasadës profesoreshën e Universitetit Bunkyo në Tokio, Yuko Ikuta, një personalitet i njohur i botës akademike japoneze, e cila ka dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin e figurës dhe trashëgimisë së humanistes shqiptare, laureates së Çmimit Nobel për Paqe, Nënë Terezës.
Takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ku është vlerësuar rëndësia e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe roli i studiuesve dhe intelektualëve në ndërtimin e urave të mirëkuptimit mes popujve.
Me këtë rast, ambasadori Kiçmari ka shprehur vlerësimin e tij për punën dhe angazhimin e profesoreshës Ikuta në njohjen dhe promovimin e jetës dhe misionit të Nënë Terezës në Japoni. Ai ka theksuar se ajo ka dhënë një kontribut të çmuar përmes përkthimit në gjuhën japoneze të librit të Don Lush Gjergjit, kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës.
Sipas ambasadorit, ky botim u ofron lexuesve japonezë mundësinë të njihen më nga afër me jetën, përkushtimin dhe misionin humanitar të një prej figurave më të shquara të njerëzimit. Ai ka veçuar gjithashtu rëndësinë e titullit që libri mban në gjuhën japoneze, “Origjina ime: Lidhje të Përzemërta me Shqiptarët – Komunikimi me Nënë Terezën”, duke theksuar se ai pasqyron lidhjen e ngushtë të Nënë Terezës me origjinën e saj shqiptare dhe mesazhin universal të humanizmit, dashurisë dhe solidaritetit që ajo i dhuroi botës.
Kiçmari ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e profesoreshës Ikuta në sjelljen e kësaj vepre para publikut japonez, duke vlerësuar se puna e saj përfaqëson një urë të rëndësishme të dialogut kulturor ndërmjet Japonisë dhe shqiptarëve, si dhe kontribuon në forcimin e mirëkuptimit reciprok dhe promovimin e vlerave universale që përfaqëson Nënë Tereza.
Sipas ambasadorit të Kosovës në Japoni, kontributi i profesoreshës Ikuta ndihmon që mesazhi i paqes, solidaritetit, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor, i mishëruar në jetën dhe veprën e Nënë Terezës, të njihet dhe të vlerësohet edhe më gjerësisht nga lexuesit dhe opinioni publik japonez.
Takimi u vlerësua si një dëshmi e rëndësisë që diplomacia kulturore dhe bashkëpunimi akademik kanë në afrimin e popujve dhe kulturave, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe mirëkuptimi përmes figurave universale, siç është Nënë Tereza. Njëkohësisht, ai riafirmoi rolin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tokio në promovimin e vlerave kombëtare, trashëgimisë kulturore shqiptare dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.



