Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të premten me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.
Bajroviq u shpall sërish fajtor për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallç, Gurrakoc dhe fshatra të tjera të Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.
Ai u dënua në rigjykim pasi rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.
Gjykata Themelore e kishte dënuar me 12 vjet burgim edhe në korrik të vitit 2024, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar atë aktgjykim, duke e refuzuar ankesën e mbrojtjes në vitin 2025.
Megjithatë, Gjykata Supreme e pranoi ankesën e mbrojtjes po atë vit dhe e rrëzoi aktgjykimin, duke vlerësuar se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se për këtë rast kishin dhënë deklarata edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por ato nuk gjendeshin në shkresat e lëndës.
Gjykata vlerësoi se këto deklarata duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.
Bajroviq ka të drejtë ankese edhe ndaj këtij aktgjykimi të shkallës së parë.
Për çfarë u dënua Bajroviqi?
Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj 1999, Bajroviq mori pjesë në një aksion të forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat e Istogut. Civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.
Bajroviq ndau burrat dhe gratë nga kolona, ua mori paratë dhe sendet me vlerë, ndërsa më pas forcat serbe i dërguan burrat në një shtëpi në Staradran, ku, sipas gjykatës, u pushkatuan të paktën 16 civilë shqiptarë.
Po ashtu, sipas gjykatës, më 7 maj 1999 ai mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë. Burrat u ndanë nga kolona, u plaçkitën dhe më pas u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u maltretuan dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore.
Më 8 maj 1999, të ndaluarit u dërguan në stacionin policor në Gurrakoc, ndërsa, sipas aktgjykimit, kolonës i printe Bajroviq.
Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 19 tetori 2022.
Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, shumica shqiptarë, ndërsa më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të pagjetur.
Pas luftës, hetimet për krimet e luftës u zhvilluan fillimisht nga UNMIK-u (2000–2008), më pas nga EULEX-i (2008–2018), ndërsa që nga viti 2018 lëndët iu transferuan institucioneve vendore të drejtësisë.



