Skandal me patentë-shoferë në Pejë: Bastiset një auto-shkollë, arrestohet instruktori
Një operacion i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) ka zbuluar një skemë të dyshuar të pajisjes së kundërligjshme me patentë-shofer, duke çuar në arrestimin e një instruktori të auto-shkollës “Vosa” në Deçan dhe hetimin e pronarit të një klinike mjekësore në Pejë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Sipas hetimeve, Denis Tafilaj 40-vjeçar, në cilësinë e përfaqësuesit dhe instruktorit të auto-shkollës “Vosa”, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke i mundësuar një personi të pajiset me patentë-shofer të kategorisë “B” përmes dokumentacionit të falsifikuar dhe veprimeve të kundërligjshme.
Gjatë operacionit të zhvilluar të enjten, hetuesit e DHKEK-së kanë bastisur zyrat e auto-shkollës “Vosa”, ku si prova materiale janë sekuestruar katër telefona mobilë.
I dyshuari Denis Tafilaj me vendim të Prokurorit të rastit, është dërguar në ndalim për 48 orë.
Në kuadër të të njëjtit hetim është intervistuar edhe Gani Rama (71-vjeçar), pronar i klinikës mjekësore “Anima” në Pejë. Sipas burimeve, ai gjatë intervistimit ka pranuar veprën që i vihet në barrë. Atij i është sekuestruar një telefon mobil, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar.



