Shqipëria hap shkollën e aviacionit, Rama fton Kosovën për stërvitjen e pilotëve

03 korrik 2026 | 15:27

Shqipëria ka hapur Shkollën Kombëtare të Fluturimit, një projekt që, sipas kryeministrit Edi Rama, shënon një kapitull të ri për rininë në Forcat e Armatosura dhe një pikë kthese për sigurinë rajonale. Ai ka thënë se kjo shkollë ka hapur dyert edhe për Kosovën.

Me hapjen e kësaj shkolle, Shqipëria ka bërë një hap tjetër në modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa pilotët ushtarakë do të trajnohen sipas standardeve të NATO-s.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se ka një numër të madh të interesuarish dhe se shkolla është e hapur edhe për kandidatët nga Kosova. Ai ka shtuar se ka ngarkuar ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufin, që të bisedojë me homologun e tij nga Kosova, nëse ka të interesuar për t’u trajnuar në këtë institucion.

Gjithashtu, ai ka theksuar se janë në bisedime për të sjellë një nga eksperiencat botërore nga Izraeli.

Rama është shprehur se projekti fillimisht është pritur me skepticizëm dhe është konsideruar nga disa si i dështuar, por sot, sipas tij, ai është bërë realitet dhe po hap dyert për të rinjtë që duan të trajnohen në fushën e aviacionit ushtarak.

Ai ka shtuar se Forcat e Armatosura janë ndër më të paguarat në rajon dhe se synimi është që ato të afrohen me standardet e NATO-s për sa i përket pagave dhe kapaciteteve.

Sipas tij, shkolla e re dhe projektet e tjera ushtarake synojnë rritjen e kapaciteteve ajrore dhe forcimin e reagimit ndaj emergjencave civile dhe sfidave të sigurisë në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Kam paralajmëruar edhe më herët, me kërkesë…