Hoti nënshkruan marrëveshje me Shqipërinë për mobilitetin në punë: Lehtësohet qasja në tregun e punës

03 korrik 2026 | 15:32

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në Republikën e Kosovës, Andin Hoti, ka bërë me dije  se gjatë vizitës së tij të parë bilaterale në nivel ministror jashtë vendit, të zhvilluar në Shqipëri, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.

Sipas tij, marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional.

“Takimi im i parë bilateral në nivel ministror jashtë Kosovës nuk mund të kishte një domethënie më të madhe. Ai është zhvilluar pikërisht në Shqipëri – aty ku historia, gjuha dhe identiteti ynë kombëtar na kujtojnë se kufijtë nuk e ndajnë përkatësinë tonë”, ka deklaruar ministri.

Ai ka thënë se vizita ka pasur edhe një rëndësi personale, duke kujtuar një thënie të babait të tij, të cilën e ka lidhur me përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Përtej përgjegjësisë shtetërore që mbaj, kjo vizitë ka pasur edhe një peshë të veçantë emocionale për mua. Gjatë këtij takimi m’u kujtua një thënie e babait tim: ‘Bëje ose vdis.’ Pikërisht me këtë frymë po ndërtojmë ura bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke afruar qytetarët tanë dhe duke hequr pengesat që kufijtë administrativë nuk duhet t’i krijojnë mes një kombi”, është shprehur ai.

Ministri ka bërë të ditur se marrëveshja e nënshkruar me homologen shqiptare, Delina Ibrahimaj, do të lehtësojë procedurat për qytetarët që synojnë të punojnë në shtetin tjetër.

Sipas tij, një nga rezultatet kryesore është lehtësimi i qasjes në tregun e punës, duke mundësuar që qytetarët e të dy vendeve të kenë procedura më të thjeshta dhe më të shpejta për punësim në shtetin tjetër.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria nuk i bashkon vetëm historia dhe gjaku, por edhe përgjegjësia për të ndërtuar një të ardhme me më shumë mundësi për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria ka hapur Shkollën Kombëtare të Fluturimit, një projekt që,…