Vendoset gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq
Në Obiliq është vendosur gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), një investim që synon të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit, e cilësoi projektin si një investim me rëndësi të veçantë për qytetarët, duke theksuar se ndërtimi i objektit përbën fazën e parë të zhvillimit të qendrës dhe se do të pasojnë edhe faza të tjera.
“Kam një emocion të veçantë sot. Po vendosim gurthemelin e QKMF-së, një objekt shumë të rëndësishëm për qytetarët tanë. Kjo është faza e parë dhe do të vazhdojmë edhe me fazat e tjera. Kam nderin që këtë gurthemel ta vendosim së bashku me kryeministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektit, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi dhe afatin e realizimit të tij.
“Pamë projektin, i cili dëshmon se sa moderne do të jetë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare këtu në Kastriot. Mësuam se sipërfaqja e përgjithshme do të jetë 2 mijë e 250 metra katrorë, ndërsa punimet, që nisin sot me vendosjen e gurthemelit, do të përfundojnë brenda dy vjetësh, pra në fillim të verës së vitit 2028. Më shpejt se kaq mund të bëhet, më gjatë jo. E falënderojmë operatorin ekonomik që do të punojë me dinamikë të shtuar, në mënyrë që gjithçka të përfundojë sa më shpejt, pasi Komuna e Obiliqit, në Kosovën e pasluftës, ka pritur për gati tri dekada një objekt të tillë. Ai do të ketë infrastrukturë moderne dhe do të pajiset me teknologji bashkëkohore mjekësore”, ka deklaruar Kurti.



