Avokati i Popullit: Kriza institucionale po cenon të drejtat e qytetarëve

05 korrik 2026 | 15:04

Kriza politike dhe institucionale në Kosovë po vazhdon të ndikojë në funksionimin e plotë të institucioneve, në proceset legjislative dhe në jetën e qytetarëve.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha për KosovaPress se vendi po funksionon për të dytin vit pa institucione të plota, si pasojë, sipas tij, e zgjedhjeve të përsëritura.

Sipas tij, moskrijimi i institucioneve po cenon të drejtat e njeriut dhe po krijon pasiguri te qytetarët për zhvillimet e mëtejshme në vend.

“Është viti i dytë që Kosova po vazhdon të funksionojë pa institucione të plota, si rezultat i zgjedhjeve të përsëritura që po ndodhin në Kosovë. Mungesa e krijimit të institucioneve cenon dhe ndikon shumë keq në të drejtat e njeriut, në radhë të parë për shkak të ngecjes së nismave legjislative, ndryshimit të ligjeve dhe nxjerrjes së ligjeve të reja, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe rritjen e standardit. Natyrisht, kjo ndikon shumë edhe në punën e institucioneve të tjera, të cilat, në mungesë të autoriteteve mbikëqyrëse, mbeten me një dinamikë shumë të ulët të angazhimit në punën e tyre të përditshme, por edhe në projektet që nuk arrijnë t’i përfundojnë dhe as të nisin të reja. Kjo ka bërë që sot qytetarët e Kosovës të përballen me një situatë pasigurie dhe paparashikueshmërie për atë se çfarë do të ndodhë më tej”, tha Qelaj.

Ai pret që rezultati i zgjedhjeve të fundit të finalizohet me krijimin e institucioneve, duke paralajmëruar se vazhdimi i krizës politike dhe institucionale do ta thellonte edhe më shumë dëmin për vendin.

Sipas Qelajt, një numër institucionesh funksionojnë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe institucionin e Avokatit të Popullit.

“Unë konsideroj se rezultati i zgjedhjeve të fundit do të finalizohet me krijimin e institucioneve dhe nuk do të vazhdohet me kriza të tjera politike e institucionale, sepse jemi në një situatë të vështirë, ku një numër i madh institucionesh janë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Unë jam në pozitën e Avokatit të Popullit me mandat të vazhduar, sipas ligjit, deri në zgjedhjen e Avokatit të ri. Përndryshe, mandati im pesëvjeçar ka përfunduar qysh në tetor të vitit të kaluar. Dëmi që po i shkaktohet Kosovës nga moskrijimi i institucioneve është i jashtëzakonshëm. Mendoj se përgjegjësia institucionale dhe politike e atyre që kanë detyrë t’i krijojnë këto institucione duhet të jetë më e madhe. Nuk duhet të mendohet gjithmonë vetëm për kalkulimet politike dhe ndarjen e pushtetit”, shtoi ai.

Avokati i Popullit theksoi se kriza institucionale ka sjellë kufizime buxhetore, ngecje në nismat legjislative, projektet infrastrukturore dhe reformat në drejtësi. Ai tha se një ndër parimet kryesore të reformës në drejtësi duhet të jetë respektimi i ndarjes së pushteteve.

“Ne kemi kufizime buxhetore, kufizime të nismave legjislative, të projekteve të reja infrastrukturore. Kemi ngecje në reformën në drejtësi dhe në shumë procese të tjera që janë nisur. Kjo është rezultat i kësaj krize institucionale e politike, e cila, në njëfarë mënyre, po e humb edhe kuptimin e vet. Ajo që e vlerësoj si më të rëndësishme në reformën në drejtësi është respektimi i ndarjes së pushteteve. Duhet ta dijë gjithkush që jeton në Kosovë dhe që bart përgjegjësi institucionale se ndërhyrja në pushtete dhe ndikimi ose kapja e pushtetit gjyqësor nga legjislativi apo ekzekutivi e cenon rëndë demokracinë e Kosovës”, theksoi ai.

Ai ngriti shqetësime edhe për tendencat e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje që politika dhe ekzekutivi të qëndrojnë larg ndikimit në gjyqësor dhe prokurori.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur më 7 qershor të këtij viti, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.

Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk është bërë, pas ankesave të disa kandidatëve për deputetë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kreu i LV-së, Albin Kurti, ka deklaruar për mediat se, pas certifikimit të rezultateve, do të komunikojë me partitë politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve, por edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Zgjedhjet paraprake janë mbajtur më 28 dhjetor dhe 9 shkurt, në të cilat po ashtu fituese ishte LV-ja, por nuk u arrit një marrëveshje pas zgjedhjeve të dhjetorit për zgjedhjen e presidentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka konfirmuar transferimin e Denzel Dumfries nga Interi.…