Fermerët e qumështit protestojnë të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, me traktorë e cisterna
Fermerët kosovarë të qumështit kanë paralajmëruar protestë për të hënën, para Ministrisë së Bujqësisë, pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat. Ata thonë se situata po i çon drejt falimentimit dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.
Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit njoftoi se vendimi për protestë është marrë njëzëri në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, duke theksuar se kërkesat e tyre nuk kanë gjetur përgjigje nga autoritetet përgjegjëse.
Fermerët kërkojnë rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin e rezultateve të analizave për të larguar dyshimet mbi produktet vendore, si dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit.
Protesta do të nisë në orën 13:00 dhe fermerët kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë me traktorë dhe cisterna me qumësht. Ata kanë ftuar edhe qytetarët të marrin bidonë, pasi gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.
Protesta vjen edhe pas reagimeve të shumta në sektorin e qumështit, të cilat u intensifikuan pas një inspektimi të zhvilluar në një qumështore në Kosovë, të iniciuar me urdhër të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.
Ky veprim ngjalli debat dhe reagime nga përfaqësues të industrisë dhe fermerët, të cilët kërkojnë transparencë dhe masa që mbështesin prodhuesit vendorë.



