Behgjet Pacolli: Të zhbllokohet Aeroporti i Vlorës dhe të zbatohen vendimet e gjykatave
Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar se, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave që kanë shfuqizuar të gjitha masat e mëparshme të sigurisë si të pabazuara në ligj, hyrjet në aeroport vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Pacolli thekson se kompania nuk kërkon asgjë më shumë sesa zbatimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve gjyqësore.
“Ne vazhdojmë të kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatave dhe mbrojtjen e një investimi strategjik me vlerë qindra milionë euro, në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, shprehet ai. Në reagimin e tij, presidenti i MABCO-s u bën apel institucioneve shtetërore që të mundësojnë vënien në operim të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në përputhje me kontratën e koncesionit dhe vendimet e gjykatave. Njëkohësisht, ai kërkon që të mbahen përgjegjës të gjithë ata që, sipas tij, kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme dhe vazhdojnë të pengojnë funksionalizimin e kësaj vepre strategjike.



