Malisheva nderoi dëshmorët e rënë në Betejën e Rahovecit, në 28-vjetorin e saj
Me homazhe dhe nderime u shënua sot 28-vjetori i Betejës së Rahovecit, njëra ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ranë heroikisht Dëshmorët e Kombit nga Komuna e Malishevës: Prof. Hamdi Berisha, Habib Berisha, Gani Paçarizi, Ramadan Morina, Sadik Shala, Liman Gegaj, Afrim Krasniqi dhe Ruzhdi Gjyliqi, duke u bërë simbol i sakrificës, qëndresës dhe luftës për lirinë e Kosovës.
Në aktivitetin përkujtimor morën pjesë Komandant Çeliku, Fatmir Limaj, ish deputeti Nait Hasani, gjenerali Selim Krasniqi, drejtorë të Komunës së Malishevës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Ilaz Krasniqi, përfaqësues të Policisë së Kosovës në Malishevë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e tyre, u vendosën kurora me lule dhe u bënë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Malishevë dhe Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.
Po ashtu, nderime u bënë edhe në Gurbardh, te pllaka përkujtimore e Dëshmorëve prof. Hamdi Berisha dhe Habib Berisha, ku të pranishmit përkulën me respekt para sakrificës së tyre për lirinë e atdheut.
Me nga një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan Komandant Çeliku, Fatmir Limaj, dhe kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu, të cilët vlerësuan lart rëndësinë historike të Betejës së Rahovecit dhe sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se korriku i vitit 1998 mbetet një ndër periudhat më të lavdishme të luftës çlirimtare dhe se liria e Kosovës është ndërtuar mbi gjakun dhe flijimin e bijve më të mirë të saj.
Ata nënvizuan se kujtimi për dëshmorët mbetet obligim i përhershëm institucional, kombëtar dhe qytetar.
Beteja e Rahovecit mbetet një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë më të re, ndërsa sakrifica e prof. Hamdi Berishës, Habib Berishës, Gani Paçarizit, Ramadan Morinës, Sadik Shalës, Liman Gegajt, Afrim Krasniqit dhe Ruzhdi Gjyliqit do të mbetet përjetësisht frymëzim për brezat që vijnë dhe themel i lirisë e shtetësisë së Republikës së Kosovës.



