FMN-ja miraton 690 milionë dollarë të tjerë për Ukrainën, mbështet ekonominë gjatë luftës
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar një disbursim të menjëhershëm prej rreth 690 milionë dollarësh për Ukrainën, në kuadër të programit të huasë që synon të mbështesë ekonominë e vendit gjatë luftës me Rusinë.
Me këstin e fundit, fondet e lëvruara nga FMN-ja për Kievin arrijnë në rreth 2,2 miliardë dollarë, nga një paketë totale financimi prej 8,1 miliardë dollarësh.
Pagesa është miratuar pas rishikimit të programit të reformave, në kuadër të të cilit Ukraina është angazhuar të ruajë stabilitetin ekonomik dhe të zbatojë reforma në luftën kundër korrupsionit, sistemin tatimor dhe politikën monetare.
FMN-ja ka vlerësuar se, pavarësisht luftës që vijon prej shkurtit 2022 dhe sulmeve të vazhdueshme ruse, Ukraina ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Sipas institucionit, zbatimi i programit ka qenë “në përgjithësi i kënaqshëm”.
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka deklaruar se Ukraina vazhdon të tregojë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke theksuar se ruajtja e stabilitetit makroekonomik mbetet prioriteti kryesor i vendit në kushtet e luftës.



