Momenti që preku botën e futbollit: Çfarë i ka thënë Messi, Yamalit pas finales?

21 korrik 2026 | 15:47

Lamine Yamal ka zbuluar bisedën emocionale që ka pasur me Lionel Messin pas finales së Kupës së Botës, ku Spanja triumfoi 1:0 ndaj Argjentinës pas vazhdimeve.

Pas përfundimit të ndeshjes, teksa në fushë pati tensione mes futbollistëve të të dyja skuadrave, Messi qëndroi larg incidenteve dhe iu drejtua talentit spanjoll për ta përqafuar, shkruan Mirror.

Yamal, i cili në moshën 19-vjeçare është shpallur kampion i Evropës dhe i botës, ka thënë se kishte dashur t’i shprehte respektin e tij futbollistit që e konsideron si më të mirin në histori.

“Ai është lojtari më i madh në histori dhe dikush që gjithmonë e kam admiruar. Pas ndeshjes doja t’i tregoja respektin tim”, është shprehur Yamal.

Sipas tij, Messi i ka dhënë një mesazh që nuk do ta harrojë kurrë.

“Më ka thënë të vazhdoj rrugën time dhe se e ardhmja i përket brezit tonë. Ato fjalë vlejnë po aq sa medalja e artë që kam në qafë”, ka zbuluar ylli i Spanjës.

Yamal ka shtuar se ende e ka të vështirë ta besojë atë që ka arritur në një moshë kaq të re.

“Nëse dikush do të më kishte thënë disa vite më parë se do ta fitoja Kupën e Botës duke luajtur kundër Lionel Messit, do të mendoja se ishte i çmendur”, ka deklaruar ai.

Spanja siguroi trofeun falë golit të Ferran Torres në minutën e 106-të, duke mposhtur Argjentinën në një finale ku kampionët në fuqi nuk arritën të regjistronin asnjë goditje në portë gjatë 120 minutave të lojës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar sot…