Ministri Hajrulla Çeku po planifikon mbylljen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

21 korrik 2026 | 19:34

Sipas rektorit Agron Bajraktari, Ministria ka urdhëruar planifikimin e buxhetit zero për vitin 2027, ka proceduar dokumentet në Ministrinë e Financave dhe, nëse kjo zbatohet, universiteti nuk do të mund të vazhdojë funksionimin nga 1 janari 2027. Si pasojë, do të largohen të gjithë të punësuarit dhe do të ndërpriten studimet e më shumë se 2.000 studentëve.

Në takimin për nisjen e procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit të Lartë, ku morën pjesë drejtuesit e universiteteve publike e private dhe ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF), Agron Bajraktari, adresoi një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimin e arsimit të lartë, por një pjesë e madhe e fjalimit të tij iu kushtua asaj që ai e cilësoi si planifikim për mbylljen e universitetit.

Bajraktari deklaroi se, sipas dokumenteve që, sipas tij, janë përcjellë nga kabineti i ministrit dhe më pas janë proceduar në Ministrinë e Financave, USHAF-it i është planifikuar buxhet zero në të gjitha kategoritë buxhetore për vitin 2027. Sipas rektorit, një vendim i tillë do të nënkuptonte ndërprerjen e funksionimit të universitetit nga 1 janari 2027, largimin e të gjithë të punësuarve dhe ndërprerjen e studimeve për më shumë se 2.000 studentë.

Gjatë adresimit, ai kërkoi publikisht nga ministri Çeku të sqarojë nëse ky veprim është bërë me dijeninë dhe miratimin e tij.

“Nëse po, universiteti meriton të dijë arsyet objektive, ligjore dhe profesionale për një masë të tillë. Nëse jo, atëherë është në nderin tuaj institucional që ky veprim të ndalet menjëherë dhe të korrigjohet”, deklaroi Bajraktari.

Rektori theksoi se, sipas tij, USHAF nuk ka marrë asnjë vërejtje nga auditimet e jashtme, auditimet e brendshme, inspektimet e Ministrisë apo proceset e akreditimit që nga themelimi i universitetit.

Në pjesën e parë të fjalimit, Bajraktari prezantoi zhvillimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke rikujtuar se institucioni e ka zanafillën në vitin 1976 si pjesë e Universitetit të Prishtinës, ndërsa që nga viti 2015 funksionon si universitet publik i pavarur dhe mbetet i vetmi universitet i shkencave të aplikuara në Kosovë. Ai tha se universiteti ofron programe të ndërtuara në partneritet me industrinë, me fokus në mësimin praktik dhe me një shkallë të lartë punësimi të studentëve para ose menjëherë pas diplomimit.

Sipas tij, universiteti ka zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, është anëtar i organizatave evropiane EURASHE dhe E³UDRES², ka fituar projekte ndërkombëtare dhe ka siguruar akreditim institucional pesëvjeçar, ndërsa të gjitha programet e studimit janë akredituar me vlerësime pozitive.

Bajraktari tha gjithashtu se universiteti funksionon me vetëm 58të punësuar, numër që, sipas tij, është dukshëm më i ulët se në universitetet e tjera publike, por se, pavarësisht kësaj, ka arritur të ndërtojë një model të suksesshëm të arsimit të aplikuar.

Në fund të adresimit, ai ftoi ministrin Çeku ta vizitojë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj për t’u njohur nga afër me punën dhe infrastrukturën e institucionit, ndërsa theksoi se universiteti nuk kërkon privilegje, por trajtim të barabartë, respektim të ligjit dhe vendimmarrje të bazuar në rezultate.

Pavarësisht pyetjeve dhe kërkesës publike të rektorit Agron Bajraktari për sqarime, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, nuk dha përgjigje lidhur me çështjet e ngritura gjatë takimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Agron Kuçi Çdo parti politike që synon të fitojë…