Policia e Shqipërisë paralajmëron: Mos dilni në det, moti pritet të përkeqësohet

24 korrik 2026 | 09:05

Policia e Shtetit në Shqipëri ka lëshuar një paralajmërim për përkeqësimin e kushteve atmosferike dhe detare, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.

Sipas autoriteteve, nga mesdita e 24 korrikut deri në paraditen e 25 korrikut pritet përkeqësim i motit, i cili do të ndikojë veçanërisht në zonat detare. Për këtë arsye, mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që veprojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, si dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, këshillohen të mos dalin në det deri në përmirësimin e kushteve.

Policia u ka bërë thirrje kapitenëve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese të shmangin çdo lundrim që mund të rrezikojë jetën e tyre, të ekuipazhit apo të pasagjerëve, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve përgjegjëse.Ndërkohë, paralajmërimi vlen edhe për përdoruesit e rrugëve, pasi reshjet dhe moti i paqëndrueshëm mund të vështirësojnë qarkullimin.

Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat që mund të shkaktojnë aksidente.

Në përfundim, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente dhe të zbatojnë rekomandimet, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë periudhës së motit të paqëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paralajmërime të reja se operativët rusë po synojnë emailet e…