AKK-ja do të ofrojë mbështetje teknike për komunat përfituese të projektit “Fuqizimi i Demokracisë Pjesëmarrëse”
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka filluar zyrtarisht procesin e ofrimit të mbështetjes teknike dhe mentorimit për Komunën e Gjilanit, Komunën e Obiliqit dhe Komunën e Shtimes, të cilat janë përzgjedhur si komunat përfituese në kuadër të projektit “Fuqizimi i Demokracisë Pjesëmarrëse”.
Përmes kësaj mbështetjeje, AKK do të punojë ngushtë me komunat për zbatimin e Rregullores MF Nr. 04/2017 për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile; aplikimin praktik të Metodologjisë LOD; përmirësimin e proceseve komunale të financimit të organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve); forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe cilësisë së menaxhimit të fondeve publike.
Si hap i parë i këtij procesi, AKK-ja ka zhvilluar takimet fillestare me ekipet teknike pesëanëtarëshe të emëruara nga kryetarët e komunave përfituese.
Gjatë këtyre takimeve janë prezantuar objektivat e mbështetjes teknike, metodologjia e punës, rolet dhe përgjegjësitë e ekipeve komunale, si dhe janë dakorduar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit dhe mentorimit.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Demokracisë Pjesëmarrëse”, i cili zbatohet nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) me mbështetjen e UNDP-së përmes Programit ReLOaD3 dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Mbështetja teknike dhe mentorimi do të ofrohen deri në maj të vitit 2028, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale të komunave dhe avancimin e praktikave transparente dhe të standardizuara në financimin publik të organizatave të shoqërisë civile.



