Bayerni nxjerr në shitje tre yje të skuadrës
Bayern Munich mund të ndahet me tre futbollistë gjatë afatit kalimtar të verës, por e ardhmja e João Palhinha, Sacha Boey dhe Bryan Zaragoza vazhdon të mbetet në pikëpyetje.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, mesfushori portugez Palhinha ka refuzuar oferta të rëndësishme nga klubet e Arabisë Saudite dhe Turqisë, pasi dëshiron të rikthehet në futbollin portugez.
Palhinha preferon transferimin te njëri prej dy gjigantëve portugezë, Benfica ose Sporting, megjithatë asnjëri prej tyre aktualisht nuk është në gjendje t’i përmbushë kërkesat financiare të Bayern Munichut. Ndërkohë, Aston Villa po shqyrton mundësinë e një huazimi me opsion blerjeje.
Edhe mbrojtësi i djathtë francez, Sacha Boey, ka tërhequr interesimin e disa klubeve të Premier League-s. Bayerni e vlerëson futbollistin rreth 15 milionë euro dhe është i gatshëm të dëgjojë ofertat për të.
Ndërsa sulmuesi anësor spanjoll, Bryan Zaragoza, dëshiron të rikthehet në La Liga. Espanyol dhe Sevilla janë dy klubet që po e monitorojnë situatën e tij, por deri tani nuk ka pasur negociata konkrete, pasi paga e tij vjetore prej rreth katër milionë eurosh shihet si pengesë.
Megjithatë, pavarësisht interesimit nga klubet e tjera, asnjëri prej tre futbollistëve nuk duket afër largimit nga Bayern Munichu në këtë moment, pasi bisedimet ende nuk kanë hyrë në një fazë vendimtare.



