Përçarje në opozitën turke, Ozgur Ozel themelon parti të re

24 korrik 2026 | 15:17

Lideri i shkarkuar i Partisë Popullore Republikane (CHP), Ozgur Ozel, së bashku me 90 deputetë të tjerë, është larguar nga partia dhe ka themeluar të premten një subjekt të ri politik, të quajtur Yeni Parti (Partia e Re).

Ozelka deklaruar se partia e re do të udhëheqë betejën politike kundër presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Uroj që kjo të jetë e dobishme për vendin tonë, kombin tonë, partinë tonë dhe për të gjithë ne”, ka thënë ai.

Me gjithsej 91 deputetë, Yeni Parti bëhet forca e dytë më e madhe në parlamentin 600-anëtarësh të Turqisë, pas Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, e cila ka 277 ulëse.

Ndërkohë, CHP-ja, e cila deri më tani ishte partia e dytë më e madhe me 135 deputetë, mbetet me vetëm 44 deputetë pas largimit masiv. Kjo e rendit atë në vendin e katërt, pas partisë pro-kurde DEM, e cila ka 56 ulëse.

“Opozita kryesore në Kuvendin e Madh Kombëtar do të jetë partia e re që po themelojmë”, kishte deklaruar Ozel më herët gjatë javës.

CHP-ja u themelua në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës moderne të Turqisë dhe presidenti i parë i saj. Partia kemaliste ishte sfiduesja kryesore e partisë konservatore në pushtet, AKP-së, e cila ka qenë në pushtet për gjashtë mandate radhazi që nga viti 2002.

Themelimi i partisë së re vjen pas përçarjeve të thella brenda CHP-së. Ozel u zgjodh kryetar i partisë në vitin 2023 dhe udhëhoqi suksesin e saj në zgjedhjet lokale të vitit pasues.

Në vitin 2025, ai u bë figura kryesore e protestave masive që kërkonin lirimin e kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe kandidatit presidencial të CHP-së, Ekrem Imamoglu, i cili përballet me akuza për korrupsion dhe terrorizëm, si dhe me një dënim që mund të kalojë 2 mijë vjet burg.

Megjithatë, në maj të këtij viti, një gjykatë anuloi zgjedhjen e Ozelit si kryetar të CHP-së, për shkak të dyshimeve për blerje votash. Gjykata ia hoqi atij postin dhe riktheu në krye të partisë rivalin e tij, Kemal Kiliçdaroglu.

Kritikët i kanë cilësuar procedurat ligjore ndaj Imamoglu, Ozelit, CHP-së dhe mbështetësve të saj si të motivuara politikisht dhe jodemokratike. Qeveria i mohon këto pretendime dhe këmbëngul se sistemi gjyqësor është i pavarur.

Pas dorëzimit të dokumenteve për regjistrimin e Yeni Partisë në Ministrinë e Brendshme, deputeti Murat Emir ka deklaruar: “Po lëmë pas një parti të pushtuar”, shkruan DW.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm…