Politikani malazez: Ambasadori i BE-së na tha ta harrojmë Evropën nëse vazhdojmë me çnjohjet e Kosovës

28 korrik 2026 | 14:47

Politikani malazez dhe kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, ka deklaruar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, ka paralajmëruar shumicën parlamentare në Podgoricë për pasojat që mund të ketë vazhdimi i fushatës për çnjohjen e Kosovës.

Sipas Knezheviqit, Sattler u ka bërë të ditur përfaqësuesve të shumicës parlamentare se BE-ja mund t’i ndërpresë marrëdhëniet me Malin e Zi nëse vazhdojnë nismat për çnjohjen e Kosovës nga kuvendet komunale.

Knezheviqi, i cili është një nga nismëtarët e kësaj fushate, ka thënë se Sattler ka mbledhur përfaqësuesit e shumicës parlamentare pas vendimit të Kuvendit Komunal të Pljevljës për çnjohjen e Kosovës.

“Dhe Guvernatori i Malit të Zi, presidenti i të gjithë presidentëve, dielli që nuk perëndon kurrë dhe hëna që na mbikëqyr përjetësisht, Shkëlqesia e Tij Johan Sattler, pas çnjohjes së të ashtuquajturit shtet të Kosovës në Asamblenë Komunale të Plevljes, mblodhi shumicën parlamentare dhe i kërcënoi se nuk do të ishte më partneri i tyre nëse do të ndodhte një çnjohje tjetër”, ka thënë Knezheviq në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai ka pretenduar se shumica parlamentare është zotuar se nuk do të ketë më nisma të tilla, ndërsa ka kritikuar partitë që, sipas tij, kanë pranuar udhëzimet e përfaqësuesit të BE-së.

“Fatkeqësisht, duket se të gjithë janë zotuar se nuk do të ketë më çnjohje dhe i janë betuar Satlerit pranë Ribnicës. Fatkeqësisht, të gjithë përveç Partisë Demokratike Popullore”, ka deklaruar Knezheviq.

Ai ka kritikuar atë që e konsideron ndërhyrje të një zyrtari evropian në vendimmarrjen e Malit të Zi, duke përmendur edhe figura historike të vendit.

“Dhe nëse rastësisht Serdar Janko Vukotiq, Marko Milanov, Mbreti Nikola do ta dëgjonin këtë, se si një burokrat i BE-së po i urdhëron të gjithë Malit të Zi se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë, ata ndoshta do të rrokulliseshin në varret e tyre ose do të ngriheshin nga varret e tyre dhe do të vinin para të gjithëve ne, për të na pyetur: ‘Kush jeni ju? I kujt jeni? Për kë derdhëm gjak dhe për kë luftuam gjatë gjithë këtyre dekadave? Për Satlerin apo për ju?’”, ka thënë Knezheviq.

Who is Milan Knežević, the pro-Serb politician in Montenegro who is calling for the "denial" of Kosovo? - The Geopost

Milan Knezheviq

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita ka misionin e qartë…