‘Drejtësi e vonuar’, Mërgim Lushtaku reagon pas vendimit për babanë e tij
28 korrik 2026
| 14:56
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka reaguar pas vendimit të gjykatës për babanë e tij, Sami Lushtakun, i cili është liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës në rastin “Drenica 1”.
Përmes një postimi në “Facebook”, Mergim Lushtaku ka thënë se ky vendim është drejtësi e vonuar, duke uruar që edhe çlirimtarët e tjerë, të cilët, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe po përballen me procese gjyqësore të tejzgjatura, të lirohen sa më parë.
“DREJTËSI E VONUAR! Sot, Sami Lushtaku u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ‘Drenica 1’, pas një procesi që zgjati mbi 13 vjet. Uroj që të gjithë çlirimtarët, të cilët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe në procese gjyqësore të tejzgjatura, të lirohen sa më parë”, ka shkruar ai.



