Marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive, FSK-ja pjesë e aksioneve për ambient të pastër
Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për mbrojtjen e mjedisit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë me dije se përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të mbështesë aksionet shtetërore me personel, makineri dhe kapacitete logjistike, me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt dhe të pastër.
“Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore dhe kërkon angazhim të përbashkët. Me këtë partneritet po dëshmojmë se institucionet e Kosovës veprojnë të bashkuara për të mbrojtur hapësirat publike, për të rritur sigurinë mjedisore dhe për t’u ofruar qytetarëve një vend më të pastër për të jetuar”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.



