‘Si do t’i thoja jo investimit në Shqipëri?’, Rama flet për herë të parë për njohjen me Kushnerin dhe Ivanka Trumpin

29 korrik 2026 | 13:27

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rrëfyer detaje nga njohja e tij me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe mënyrën se si nisi interesi për investime në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.

Në një intervistë për rrjetin britanik “Channel 4”, Rama është kthyer te viti 2020, kur u njoh me çiftin gjatë një ndalese në Shqipëri. Sipas tij, takimi i parë nuk ishte i lidhur me ndonjë projekt konkret investimi, ndërsa interesimi për Shqipërinë u shfaq më vonë, gjatë Forumit Ekonomik të Davosit.

“U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por nuk ishin të interesuar për asgjë në termat e interesit direkt. Më vonë, në Davos, Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo?”, ka deklaruar Rama.

Kryeministri ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka ende një projekt përfundimtar për zhvillimin e Sazanit apo Zvërnecit, ndërsa materialet e publikuara më herët në rrjetet sociale kanë qenë vetëm një paraqitje fillestare e konceptit.

“Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë dhe dizajnerë peizazhesh, ndërsa po bëjmë edhe vlerësimin e pavarur të ndikimit mjedisor”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se synimi është që zhvillimi i këtyre zonave të bëhet në përputhje me standardet evropiane dhe pa dëmtuar mjedisin.

“Qëllimi është të rigjenerojë atë, jo të brutalizojë një vend të bukur”, është shprehur kryeministri shqiptar.

Duke folur për shqetësimet e ngritura nga Komisioni Evropian dhe protestat kundër projektit, Rama ka thënë se procesi duhet të respektojë direktivat e Bashkimit Evropian, ndërsa debatin publik e ka cilësuar si pjesë të një shoqërie demokratike.

“Është mirë që Komisioni Evropian është i shqetësuar. Ideja që ne do të shkojmë në një drejtim që bie ndesh me direktivat e BE-së është absurde”, ka deklaruar ai.

Rama ka folur edhe për protestat e zhvilluara kundër projektit, duke thënë se reagimi qytetar lidhet edhe me pritshmëritë në rritje të shoqërisë shqiptare.

“Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Njerëzit nuk dalin në rrugë vetëm për faktet, por edhe për pritshmëritë e tyre”, ka thënë Rama.

Projekti për zhvillimin e Sazanit dhe Zvërnecit vijon të jetë në fazën e vlerësimeve dhe diskutimeve, ndërsa qeveria pritet të ndjekë procedurat për marrjen e miratimeve të nevojshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…