Hoti: Nga Kuvendi i sotëm do të dalim më të fortë për ta rikthyer LDK-në si forcën kryesore politike

30 korrik 2026 | 10:51

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar për Kuvendin e sotëm të LDK-së.

Ai ka theksuar se sot, Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së është praktikisht ‘demokracia në veprim’ brenda partisë.

“Thirrja e këtij Kuvendi është dëshmi se LDK-ja ka mekanizmat e saj statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”.

“Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë. Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”, ka shkruar Hoti në ‘Facebook’.

Ai ka thënë se Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin.

“Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së”.

“Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës. Zoti e bekoftë LDK-në dhe Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës, Andin Hoti, ka njoftuar se nga 1…