LV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, duke kërkuar hetim të menjëhershëm lidhur me dyshimet për legalizime të jashtëligjshme të objekteve.
“Kallëzimi penal bazohet në informacione të pranuara nga një sinjalizues, të cilat përmbajnë pretendime serioze për ndërhyrje të paligjshme në proceset e legalizimit, përfshirje të zyrtarëve komunalë dhe kompanive ndërtimore. Tashmë është përgjegjësi e Prokurorisë Speciale që t’i trajtojë me seriozitet këto pretendime, të verifikojë çdo dëshmi të dorëzuar dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me ligjin. Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, transparencë dhe llogaridhënie. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme”, ka njoftuar LV-ja.



