Isufaj: Gërmimet në varrin masiv në Zubin Potok mund të zgjasin, identifikimi kërkon kohë

30 korrik 2026 | 11:47

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka qëndruar sot për vizitë në fshatin Kalludër të Zubin Potokut ku po vazhdon gërmimi në varrin masiv, në të cilin janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës.

Isufaj ka deklaruar se procesi i gërmimeve mund të zgjasë dhe se nuk mund të thotë asgjë rreth asaj se kur mund të përfundojë.

“Nga mbetjet mortore deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë, nuk mund të themi se kur mund të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë. Mirëpo, këto mbetje nuk është se mund të tërhiqen aq lehtë, sepse duhet paraprakisht të konstruktohet trupi i njeriut, e pastaj ato duhet të dërgohen në Mjekësinë Ligjore dhe të vazhdohet me procedura të tjera”, ka thënë ai.

Isufaj ka theksuar se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme, të pavarura me qëllim edhe të respektit ndaj viktimave por edhe ndaj familjarëve të tyre.

“I bëjë thirrje gjithë komunitetit në përgjithësi që të mos deklarohemi shumë për rastin, sepse akoma gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, natyrisht mund ta devijojnë edhe rezultatin final. Pra, kemi parasysh se është faza preliminare”, ka thënë Isufaj.

Lidhur me këtë zbulim të varrezës masive, janë arrestuar dy serbë, ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vit pas liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në…