Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari nga INTERPOL-i për vjedhje të rëndë
Një shtetas i Kosovës i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar nga INTERPOL-i është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas policisë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 4 gusht ka realizuar ekstradimin e personit me inicialet K.B.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.
Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.



